Opinione

Presheva nëpër kohë

(Sadri Qazimi, “Presheva mbijetesa në sprovat historike dhe aktuale”- Monografi, Preshevë 2010, faqe 372).

Këto ditë pa dritën e botimit një libër i veçantë dhe mjaft deficitar në bibliotekat tona dhe të rajonit, një libër Monografi për Preshevën, ku autori ka bërë shetitje nëpër periudha dhe momente të caktuara si historike dhe mbresa e kujtime të autorit të cilat i ka përmbledhur në këtë mongrafi aq interesante që jep kureshtje për lexim.

Ky libër i ofrohet të gjithë lexuesve shqiptarë të cilët duan të dinë më tepër për Preshevën, të kaluarën e saj me plot ngjarje historike, kulturore e arsimore të cilat autori Sadri Qazimi u ka servuar lexuesve. Është një punë shumëvjeçare e autorit drejt mbledhjes së fakteve historike të cilat i ka sistemuar në këtë libër që në të ardhmen do të mbetet si model për gjeneratat e ardhshme që ta vazhdojnë punën e palodhshme të mësuesit Sadri e që në të ardhmen ka nevojë edhe për monografi të tjera kushtuar Preshevës e cila deri tani ka qenë me përplot ngjarje dhe së fundit kthesa historike e kulturore.

Presheva nëpër kohë

Autori i kësaj monografie mësuesi dhe intelektuali Sadri Qazimi fillon me një përmbledhje të shkurtër për Preshevën dhe të kaluarën e saj, ku para lexuesve shpalos pozitën gjeografike dhe madhësinë e qytetit të Preshevës, për të kaluar në zhvillimin ekonomik, kapacitetet industriale të komunës sonë.

Në vazhdim libri vështron fakte si në aspektin ekonomik, social, historik duke filluar nga Lufta e dytë Botërore e këtej duke vënë në spikamë një gamë të gjërë ngjarjesh me rëndësi jetike për popullatën e Preshevës dhe fshatrave që gravitojnë në komunën e Preshevës dhe për t’i zbardhur të gjitha ato ecejakje nëpër të cilat kaloi popullata e komunës e më gjërë.

Në lexim të librit fitohet përshtypja që autori është njohës i mirë, përcjellës dhe gjurmues i shkëlqyeshëm i materialeve dhe rrëfimeve të njerëzve të cilët i kishin takuar kohës së kaluar nga të cilët autori me aq inetresim mblodhi mjaft rrëfime nga dora e parë e më vonë për t’i sistemuar në libër. Këto rëfime ishin argument i fortë për të kaluarën dhe janë tani bazament për kohën më të re dhe për librin në fjalë.

Sadriu ka marrë edhe disa shkrime nga librat e historianëve serbë të cilët kishin paraqitur disa të dhëna për Preshevën, si dhe fshatrat përreth psh., historianit Trifunovski etj.Autori më tej vazhdon me prejardhjen e familjeve shqiptare të Preshevës, duke përmendur në theks të veçantë fshatin Norçë dhe të kaluarën e saj, pastaj edhe fshatrat të tjera si fshati Geraj, fshati Leran, fshati Golemidoll, fshati Zhunicë për të vazhduar kështu me gjenealogjinë e Zhvolajve, ku paraqet në mënyrë të qartë pasqyrën e banorëve të kësaj lagje.

Qasje historike

Libri vazhdon edhe me zhvillime historike të cilat kanë qenë dhe do të mbeten gjurmë të pashlyeshme në historinë e kësaj treve dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Njëra ndër figurat madhore e patriotike e kësaj ane paraqet Xhaladin Kurbaliun si veprimtarë dhe patriot për çështjen madhore të kombit, duke e quajtur figurë markante dha karizmatikedhe mjaft komplekse që la gjurmë të pashlyeshme në vitet e tridhjeta, e të katërdhjeta të shekullit të kaluar, kur jetoi, luftoi dhe vdiq për realizimin e aspiratave shekullore të shqiptarëve për bashkim të trojeve shqiptare. I dha më tepër hapësirë këtij patrioti autori në mënyrë që kjo figurë madhore e kombit të mos hudhet në harresë dhe njëherit ka paraqitur edhe disa të dhëna shtesë që në librat e tjerë nuk janë për Xheladinin e që autori në mungesë të dokumenteve arkivore e që edhe në librat paraprakë të autorëve si:”Presheva në Lëvizjen Nacionalçlirimtare 1941-45, e autorit Dr. Ramiz Abdylit, “Kohë e sfidave historike e autorit Selim Selimi, “Dhjetë rrëfime për një tradhëti” e Skënder Latifit dhe “Mulla Idriz Gjilani” e Dr. Muhamet Pirrakut nuk kishte dokumente arkivore, andaj autori u bazua me përpikëri në rrëfimet e dëshmitarëve e sidomos të kusherinjve të Xheladinit : Ejup Miftari, Daut Miftari, Arif Ferati, Nazif Ferati e Gani Nuredini, pastaj edhe rrëfimet e truprojes së tij e Selmon Hasanit e disa të tjerëve të cilët kishin dhënë kujtime për Xheladinin dhe që tani janë prezantuar në këtë libër.

Pastaj autori në theks të veçantë paraqet edhe rrëfimet e Emine Miftarit, motrës së Xheladinit. Në vazhdin paraqet autori edhe luftën te Miniera e Llojanit e më vonë dhe tradhëtinë që ia bënë duke e larguar nga Organizata Partiake e Preshevës dhe më vonë edhe vrasjen e tij nga pjesëtarët e OZNA-së më 7 shkurt 1946.

Po në këto qasje historike që e shoqërojnë këtë libër autori paraqet edhe disa figura të tjera siç janë:Abdulla Krashnica, Ibrahim Kelmendi, Adem Kamberi, Selim Selimi, Shaip Mustafa etj., të cilët kanë zhvilluar aktivitetet e tyre gjatë luftës së Dytë Botërore.

Arsimi në komunën e Preshevës

Pas gjithë këtyre qasjeve të thukta historike autori kalon në një temë tjetër, në atë të arsimit, në theks të veçantë hapërimit të arsimit shqip nëpër kohë. Në mënyrë kronologjike paraqet ngjarjet arsimore dhe kulturore që nga zanafilla e deri në kohën e re.

Duke paraqitur përsëri atdhetarin Abdulla Kashnica, i cili hapi shkollën e parë më 7 shkurt 1945, pra pas përfundimit të Luftës së dytë Botërore, te Villa Letafet, prezanton edhe mësuesit e parë që zhvilluan procesin edukativo-arsimorë:Mësuesi i parë ishte Hilmi Qerimi, Abdulla Ukshini, Tajar Zylfiu nga Elbasani dhe Demirali Hoxha. Në fshatin Norçë prej nga vjen autori i librit shkolla e parë sipas autorit u hap në mars të vitit 1945, mesues i parë ishte Ibrahim Esati. Më pastaj paraqet në skenë edhe gjeneratat e nxënësve .

Kur jemi te arsimi në komunën e Preshevës, autori jep edhe disa të dhëna lidhur me hapjen e Gjimnazit dhe Shkollës së Mesme Teknike të Preshevës, përjashtimin e profesorëve nga puna për shkaqe ideo-politike ku dhjetë punëtorë arsimorë u larguan nga puna, kjo mbetet tani e shkruar në këtë Monografi, pastaj paraqet në mënyrë të thuktë edhe rezultatet e arritura të arsimit shqip të komunës së Preshevës gjatë periudhës 1945-1995 etj.

Në një nëntitull në vazhdim autori paraqet edhe “Traditën e shkollës shqipe gjatë sundimit të Perandorisë Osmane”, ku paraqet disa ngjarje me rëndësi të arsimit shqip në Preshevë gjatë sundimit 500 vjeçar të Turqisë, ndërsa shkolla e parë në mësim në gjuhën serbe filloi punën në vitin 1906 në bazë të marëveshjes midis autoriteteve turke dhe atyre serbe.

Një vend të posaçëm në këtë libër autori ia rezarvoi edhe shpërnguljeve të shqiptarëve për Turqi gjatë viteve 1956-1966, ku jep një pasqyrë reale dhe të dhimbshme për të shpërngulurit shqiptarë nga elaboratet famkeqe të udheheqesve të atëhershëm serbë…

Kujtime

Në vazhdim të leximit të librit lexuesi ndeshet edhe me kujtimet që autori i prezanton në libër nga ditët e shkollimit për të vazhduar edhe me punën e tij në procesin edukativo-arsimor në disa shkolla të ndryshme duke filluar nëpër fshatra të komunës së Preshevës e më vonë edhe në shkollën fillore “15 Nëntori” në Preshevë e shumë kujtime të tjera që autori ia ka bashkangjitur kësaj Monografie.

Të tjera

Gjatë shtjellimit të mëtutjeshëm të librit ndeshemi edhe me disa tema të tjera që janë në interes të çdo lexuesi që t’i dijë ngjarjet e zhvilluara si politike ashtu edhe kulturore të asaj kohe, e që e përbëjnë skeletin e këtij libri të këndshëm për lexim. Do i përmendi disa tituj interesante të nodhive që mbeten gjurmë e pashlyeshme historike:

Zgjedhjet Parlamentare dhe Lokale të vitit 1967, të vitit1969, Ngritja e Flamurit shqiptar në Preshevë, e shumë e shumë ngjarje me rëndësi hiostorike dhe politike që janë zhvilluar atëbotë e që Sadriu me sukses i ka paraqitur në këtë libër…

Në vend të përfundimit

Monografia “Presheva mbijetesa në sprovat historike dhe aktuale” i autorit Sadri Qazimi, shoqërohet me vlera të kënaqshme gjithnjë duke kujtuar për gjithë atë kolorit temash që i ka trajtuar në këtë libër. Kujtoj se ky libër posedon kriterin e librit të botueshëm dhe si i tillë do të mbetet gjurmë e pashlyeshme historike për Preshevën dhe një udhërrëfyes për shkrime të tjera të këtij lloji edhe në të ardhmen…

Related Articles

Back to top button