Doktori ukrainas që punon si shofer taksie në Berlin, pastruesja bullgare me shkollë të lartë, kimisti me titull doktor nga Rumania që pastron xhamat: këto janë klishetë për emigrantët që punojnë në Gjermani shumë poshtë kualifikimeve të tyre. Por me sa duket ata nuk janë aq të rrallë.
Një gjë të tillë e konfirmon Zyra Federale e Punësimit, transmeton DW. Në krahasim me emigrantët e tjerë numri i atyre nga Europa Lindore që marrin rroga të ulëta është më i lartë. Në dhjetor 2013, 53% e tyre punonin poshtë nivelit të rrogës minimale, pra merrnin më pak se dy të tretat e të ardhurave mesatare gjermane. Tek qytetarët gjermanë kjo shifër është 20%. Në të njëjtën kohë është duke u rritur edhe niveli i edukimit të emigrantëve, konfirmon Nina Neubecker nga Insituti Gjerman për Studimet Ekonomike. “Ne kemi vënë re se emigrantët që kanë ardhur në Gjermani pas vitit 2004 janë më të kualifikuar se emigrantët e viteve të mëparshme.”, thotë Neubeceker. Sipas statistikave, dy të tretat e tyre kanë një trajnim profesional ose studim të përfunduar. Nëse bën diferencimin sipas vendit të origjinës së emigrimit, atëherë emigrantë nga Europa Lindore kanë një nivel edukimi më të lartë. Studimi tregon se një pjesë e madhe e rumunëve dhe bullgarëve, të cilët kanë ardhur në Gjermani që prej vitit 2007 bëjnë një punë që nuk ka lidhje me edukimin e tyre. Në varësi të metodës së llogaritjes numri i të mbikualifikuarve shkon nga 40 deri në 58 përqind. Të majtët e shohin nga një këndëvështrim tjetër debatin për të ashtuquajturin “emigracion i varfërisë’ nga Rumania dhe Bullgaria. Sabine Zimmermann, zëdhënëse për politikat e tregut të punës në grupin parlamentar të partisë në Bundestag thotë se përgjegjës për këtë është mbi të gjitha trendi i rrogave të ulëta, që është gjithnjë në dëm të emigrantëve. “Është një diskriminim sistematik”, thekson deputetja e Bundestagut në një intervistë për DW. “Shumë punëdhënës i punësojnë njerëz nga këto vende me rroga të ulëta.”, thotë politikania gjermane Sipas Nina Neubecker diskriminimi nuk mund të shpjegojë diferencën e madhe me punëtorët gjermanë. Ndoshta përgjegjës për këtë janë një sërë faktorësh. “Për shembull ne kemi parë që shumë emigrantë rrallë herë kanë një kualifikim profesional të njëjtë me atë të gjermaëve”, thotë ekspertja e ekonomisë. Në shumë vende, edhe brenda BE, trajnimet klasike për një profesion nuk janë shumë të përhapura si në Gjermani. Një arsye tjetër është se shumë diploma të marra në vende të tjera nuk njihen në Gjermani ose njohja e tyre mund të arrihet me shumë vështirësi. “Aty ka potencial të pashfrytëzuar”, kritikon ekspertja. “Unë mendoj se është bërë shumë pak për përshpejtimin e procedurës së njohjes së diplomave, por nisur nga nevojë për forca ë kualifikura pune kjo do të ishte urgjente”, kritikon politikania Sabine Zimmermann. “Xhungël juridike” gjermane është një tjetër pengesë: Landet kanë komptenecën për profesionet e mësuesisë dhe infermierisë, për të tjerat është përgjegjëse federata. Tani po punohet që Gjermania të mos jetë më si një xhungël rregullash për arsimin profesional. Aktualisht nëse një rumun punon në landin e Renanisë Verior-Vestfalisë si infermier për të moshuarit, ai nuk mund ta ushtrojë këtë profesion edhe në Bavari. Ndërsa në pesë lande emigrantët nuk kanë as të drejtën që të japin provim për të provuar aftësitë e tyre profesional.