Riza Halimi deputet deri në fund të vitit, më pas Shaip Kamberi

Deputeti i deritanishëm në parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, ka arritur që nga Kryesia të marrë pëlqimin që të vazhdojë mandatin e deputetit deri në fund të vitit 2014, dhe më pas ulësen e deputetit ta trashëgojë Shaip Kamberi, kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc
Ky është rezultati i bisedimeve të zhvilluara në selinë e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Preshevë e cila zgjati për 6 orë e gjysmë për të caktuar bartësin e listës për zgjedhjet Parlamentare që do të mbahen në Serbi, ka mësuar portali Titulli.
Anëtarët e kryesisë të pranishëm në mbledhje, që përbëhet nga gjithsejtë 19 anëtarë, më në fund u morën vesh që Riza Halimi edhe njëherë të jetë bartës i listës së këtij subjekti të vetëm politik shqiptar që merr pjesë në zgjedhjet Parlamentare të 16 marsit.
Shaip Kamberi, sipas marrëveshjes së arritur do të duhej që detyrën e deputetit ta vazhdojë në vitin 2015, kur edhe Halimi do të duhej të lëshojë këtë post.
Vlen theksuar se Riza Halimi për herë të katërt kandidon për deputet popullor, përderisa Shaip Kamberi, ish kryetar i komunës së Bujanocit, tani kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc, për herë të parë pretendon ulësen e deputetit në parlamentin e Serbisë.
PVD me këtë rast do të dalë me një listë prej dhjetë kandidatëve, si bartës i saj do të jetë Riza Halimi, kurse me numrin dy Shaip Kamberi.