Ushtari gjerman vdiq në Kosovë, babai kërkon shkaktarin e vërtetë

Ushtari gjerman i KFOR-it që shërbente në Kosovë, Andre Horn vdiq në Prizren ende pa mbushur 24 vjeç. Zyrtarisht u tha se vdekja e tij erdhi si pasojë e meningjitit, por babai i të ndjerit Udo Horn, edhe 14 vjet pas vdekjes së të birit, nuk i beson këtij versioni dhe insiston se vdekja kishte ndodhur si pasojë e helmimit me pluhuri i uraniumit.
Ai edhe sot po kërkon që trupit të djalit të tij t’i bëhet ekspertizë mjeko-ligjore, dhe ka ngritur padi ndaj gjashtë ish ministrave të mbrojtjes së Gjermaisë.
Derisa flet për ‘Berliner-Zeitung’, Udo me lotë në sy, mbanë në dorë albumin me foto të të birit i cili pas 4 muaj shërbim në Kosovë, më 31 janar 2000, ndrroi jetë, për të mos u kthyer më i gjallë në vendlindjen e tij.
Udo derisa thotë se edhe pas 14 viteve, dhimbja për humbjen e të birit nuk i është zvogëluar asnjëherë, tregon edhe për letrën e fundit që mori nga ai. “Ishte 20 janar 2000, kur morëm letrën e fundit nga Andre”, thotë i ati derisa e lexon atë me zë të lartë. “Këtu ka shpërthyer një sëmundje e madhe që ka prekur shumë prej nesh. Unë aktualisht jam ende në formë të mirë, me përjashtim të një kolle të lehtë”, kishte shkruar Andre atëherë.
Ndërsa Udo, derisa largon sytë nga letra, thotë, “Kollë e lehtë? Nga e cila njëmbëdhjetë ditë më vonë kishte vdekur”.
Zyrtarisht i riu kishte vdekur nga një meningjit bakterial. Por prindrit e tij nuk e besojnë këtë teori, pasi thonë se një sëmundje e tillë trajtohet fare lehtë përmes antibiotikëve. Ai vazhdon të kërkojë shkaktarin e vërtetë që i mori jetën djalit të tij, dhe pretendon se ai ishte pluhuri i uraniumit, i lëshuar nga bombat e avionëve të NATO-s, gjatë intervenimit 78 ditorë në Kosovë dhe Serbi. (Përgatiti Reporteri.net)