Gabimi i habitshëm i Obamës, ‘Kosova u nda nga Serbia me referendum’!

Presidenti amerikan Barack Obama gjatë fjalimit të mbajtur në Bruksel të mërkurën, ka bërë një gabim të habitshëm, kur ka folur për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe krahasimet e saj me Krimenë.
Ai gjatë këtij fjalimi ka deklaruar se Kosova, ka shpallur pavarësinë përmes një referendumi në bashkëpunim me Organizatën e Kombëve të Bashkuara.
“Në mbrojtje të veprimeve veta, liderët rusë kanë përmendur Kosovën si precedent- një shembull i ndërhyrjes së Perëndimit në punët e një shteti më të vogël, pikërisht ashtu siç po bëjnë ata tani. Por NATO ka ndërhyrë në Kosovë pasi që populli i Kosovës po brutalizohej dhe vritej në mënyrë sistematike për vite të tëra. Dhe Kosova u nda nga Serbia vetëm pasi u organizua një referendum—jo jashtë kufijve të së drejtës ndërkombëtare- por me një bashkëpunim të kujdesshëm me OKB-në, dhe me fqinjtë e saj. Asnjë nga këto gjëra nuk kanë ndodhur në Krime”, kishte thënë Presidenti Obama. Ndërsa, realiteti është, se Kosova ka shpallur pavarësinë, në vitin 2008 përmes një deklarate të miratuar në Parlamentin e vendit.
Kjo deklaratë e Obamës ka nxitur reagime tek mediat ndërkombëtare, dhe ato serbe.
Dr James Ker-Lindsay, një hulumtues i politikave të Evropës Juglindore në London School of Economics ka reaguar pas këtij fjalimi të Obamës, duke thënë se, beson që presidenti kishte gabuar pa qëllim. “Unë mendoj se vërtetë ishte një gabim. Megjithatë, ishte një gabim i habitshëm”.
“Kjo me siguri tani do të përdoret nga ata që besojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke u përpjekur të rishkruajnë historinë, në të mirë të veprimeve të tyre”.
“Do të jetë interesante të shohim nëse Shtëpia e Bardhë lëshon ndonjë deklaratë ku do të korrigjonte gabimin e presidentit”, ka thënë ai.