Kosovarët e natyralizuar të Halil Matoshit
![]() |
Shkruan: Abdullah Rexhepi |
Nuk qe aspak i mirë ai moment kur kam dëgjuar për herë të parë emrin e Halil Matoshit. Më kujtohet shumë mirë një shkrim i Migjen Kelmendit në gazetën e tij ‘Java’, në të cilin për Halil Matoshin fliste me fjalë përçmuese e pezhorative. Nuk më kishte pëlqyer aspak ky stigmatizim që Migjeni ia bënte Halilit, e sidomos kur e quante ‘katunar’ e ‘të pagdhendur’. Që nga ajo kohë kam përcjellë veprimtarinë intelektuale të Halil Matoshit, sidomos idetë e tij për kombin kosovar. Në shumë raste kam vënë re se Halili vërtetë ka mendime të mira, objektive dhe meriton të lexohet dhe të dëgjohet kur paraqitet nëpër debate televizive (edhe pse kurrsesi ta mësojë të flasë shqipen e shkollës). Kështu dhe me kalimin e kohës u binda se s’qenka me rëndësi nëse je apo jo katunar, por me rëndësi qenka puna e vërtetë dhe vigjilenca intelektuale e një personi. Gjithashtu nuk i pata besuar akuzave që disa aktivistë të Lëvizjes Vetvendosje ia patën drejtuar Halilit për moskuptimin e filozofisë dhe për leximin e saj në wikipedia. Por të gjitha mu bënë të qarta tani kur lexova shkrimin e tij të fundit mbi polemikat e akademikëve të Kosovës.
Halil Matoshi në reagimin e tij të drejtë ndaj gjuhës së dy akademikëve tanë, nga mllefi dhe urrejtja përnjëherë lajthitë e harron të shtirret si intelektual dhe kështu tregon se akoma vërtetë mendërisht është katunar dhe nuk e ka ndërmend të qytetërohet. Në shkrimin me titull “Qosja vs Islami: Ndërgjegjshmëritë e sëmura të akademikëve”, ai bie në kundërshtim me fjalët e tij që i stolisë me thënie të njerëzve tjerë të ndritur. Ai në këtë shkrim i shpallë luftë ‘mendësisë ballkanike’, por pa vënë re tregon se edhe vet ai i përket po kësaj mendësie. Ai thekson e madje dhe rithekson: “… ky ambient mendërisht i kontaminuar është produkt kryesisht (me disa përjashtime) i kosovarëve të natyralizuar, që krejt çka kanë dhe çfarë kanë bërë në jetët e tyre e kanë realizuar në Prishtinë, përkatësisht në Kosovë”. Edhe pse gjatë shkrimit akuzon akademikët se nuk merren me ide, por me individë, por të njëjtën gjë e bënë edhe ai, pra nuk merret me shkaqet dhe elementet që kanë kontaminuar mendërisht ambientin, por direkt fajin ia vë personave që kanë ardhur nga trevat e jashtë kufijve të Kosovës së sotme.
Nga çdo perspektivë që i qasesh, rezulton se ky mendim i Matoshit është i paqëndrueshëm dhe i paargumentueshëm. Madje nëse e vështrojmë nga këndi psiko-sociologjik shohim se Matoshi me një mendësi të tillë plotëson çdo kriter të ksenofobisë.
Me fakte historike mund të dëshmohet se një pjesë e madhe e qytetarëve të sotëm të Kosovës janë të shpërngulur (pse u shpërngulen dihet botërisht) nga Serbia. Kjo ka ndodhur para se – sipas H.M. – Kosova të bëhej Meka apo Jerusalemi i shqiptarëve të Jugosllavisë. Por edhe pas kushtetutës së 74-së, kur pretendon se kanë ardhur shqiptarët në Kosovë, as që ka ekzistuar ndjenja e identitetit (kombëtar) kosovar e sidomos nuk besoj që kosovarët autoktonë (si Halil Matoshi) janë ndjerë superior ndaj shqiptarëve tjerë të Jugosllavisë apo kanë parë ndonjë rrezik prej tyre.
Siç e dimë të gjithë, intelektualët ‘kosovarë të natyralizuar’, të cilët ia kanë kontaminuar mendërisht ambientin Halil Matoshit, kanë qenë pjesë e pandarë e çdo ngjarjeje që ka ndodhur në katër dekadat e fundit në Kosovë. Madje shqiptarët jokosovarë të Jugosllavisë nuk kanë qenë më pak të shtypur në ato kohëra.
‘Kosovarët e natyralizuar’, ashtu siç thotë edhe Halili, krejt çka kanë dhe çfarë kanë bërë në jetët e tyre e kanë realizuar në Prishtinë, përkatësisht në Kosovë, sepse këtu mësuan, u shkolluan, këtu dhanë kontributet e tyre shkencore e intelektuale. Këta shkollimin dhe mendësinë intelektuale nuk e sollën nga viset shqiptare të Jugosllavisë, por e përfituan këtu në Kosovë, në Universitetin e Prishtinës. Ata kryesisht kanë ardhur nga rajone në të cilat nuk ka pasur qendra universitare e ambiente intelektuale. Si është e mundur që të kenë ardhur me mendësi të kontaminuar e t’ia kenë ndotur ambientin intelektual Halil Matoshit? Nëse kanë mendësi të kontaminuar, atë e kanë përfituar këtu ku u shkolluan, jetuan, krijuan, etj..
Halil Matoshi i cili – sipas teorisë së tij – deri dje ishte ‘serb i natyralizuar’, nuk e di ose shtirret se nuk e di kuptimin e saktë të fjalës ‘natyralizim’. Sikur ta dinte kuptimin e saj, nuk do ta përdorte atë për shqiptarët e Kosovës të cilët kanë ardhur këtu pas viteve 70-ta. Natyralizim është proces ligjor nëpërmjet të cilit i jepet shtetësia e një shteti një shtetasi të huaj.
Halili me mendimet shabllonike që i huazon nga filozofët perëndimorë, mëton ta bëjë sa më të vërtetë kombin kosovar, duke iu thënë kundërshtarëve të tij të shumtë: “E shihni, ne kemi komb kosovar, meqë kemi edhe kosovarë të natyralizuar, siç janë Rexhep Qosja e Hivzi Islami, e mijëra të tjerë, të cilët po na kontaminojnë mendërisht ambientin dhe racën tonë të pastër kosovare. Pra këta janë e keqja që s’na lënë të zhvillohemi. Magjitë e tyre po ia marrin mend politikanëve e pastaj ata po korruptohen, këta kanë krijuar një ambient të kontaminuar universitar ku profesorët e shkencëtarët tanë autoktonë s’po mund të krijojnë ambient mendërisht të pastër. E dini ju që edhe Ali Shukrija, Fadil Hoxha, Rrahman Morina, Mehmet Maliqi, Sezai Surroi, e shumë të tjerë ishin të ardhur nga trevat tjera jashtë Kosove, dikush më herët e dikush më vonë. Por është me rëndësi që ne kemi identifikuar shkakun e prapambeturisë dhe shkaktarët që po na pengojnë integrimin në Evropë. “
Gjithashtu është për të ardhur keq se si Halili mendon se ambienti mendor kryesisht është kontaminuar nga ‘kosovarët e natyralizuar’ dhe këtu i përjashton të gjithë intelektualët (përveç disave) ‘autoktonë kosovarë’. Mendoj se kjo është fyerja dhe nënçmimi më i madh që ai ia bënë inteligjencës shqiptare në Kosovë. Si qenka e mundur që ambienti intelektual i Kosovës të mos jetë kontaminuar nga serbët e tani të kontaminohet nga ‘kosovarët e natyralizuar’?
Me këtë ide të Halilit po rezulton se ambienti mendor i Kosovës, qoftë dhe i kontaminuar, qenka produkt i ‘kosovarëve’ që janë të ‘natyralizuar’ nga shteti i Kosovës dhe në te nuk bëjnë pjesë (me disa përjashtime) intelektualët kosovarë autoktonë. Do të ishte mirë që Halil Matoshi me një shkrim tjetër të reflektojë rreth ambientit mendërisht të pastër të Kosovës. Gjithashtu nuk është aspak shenjë e mirë heshtja e intelektualëve përballë kësaj mendësie ksenofobe dhe antihumane, e cila ka filluar të shihet dukshëm në shoqërinë tonë.