Nuk konfirmohet prania e uraniumit të varfëruar në Luginën e Preshevës

Prania e uraniumit të varfëruar në mjedisin jetësor që ka mbetur pas sulmeve ajrore të forcave të NAT0-s në vitin 1999 në territorin e Serbisë është konfirmuar edhe në Luginën e Preshevës, ka bërë të ditur Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jonizues dhe Siguri Bërthamore të Serbisë.
Në dy komunat e banuara kryesisht me shqiptarë në Bujanoc (mbi 60 për qind) dhe në Preshevë (mbi 90 për qind) po ashtu është konfirmuar prania e uraniumit të varfëruar. Në Borovac, 10 km në jug të Bujanocit, Bratoselcë, 10 km në verilindje të Preshevës. Në Bukurocë dhe Relan, 10 km në lindje të Preshevës.
Sipas agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, Ushtria e Jugosllavisë e kishte evidentuar si rajon të kontaminuar, ndërkaq në periudhën prej 2002 deri në vitin 2007 është zbatuar aksoni i pastrimit të terrenit.
Në këto lokalitete thuhet se është bërë kontrolli i hollësishëm dozimetrik dhe dekontaminimi, ndërsa predhat e gjetura, dheu i kontaminuar dhe tërë materiali radioaktiv është grumbulluar dhe ruhet në depon e mbeturinave radioaktive në ndërmarrjen publike “Objektet bërthamore të Serbisë”. Po ashu thuhet se ruhen mbetjet e predhave nga uraniumi i varfëruar në kontejnerët përkatës dhe fuçitë e vogla metalike me dheun e kontaminuar.
Pas pastrimit, terreni është rrafshuar dhe është bërë edhe një prospeksion dozimetrik.
Të dhënat e gjertanishme tregojnë se në ato lokalitete nuk është konfirmuar prania e uraniumit të varfëruar.