Shkel fëmijen 8-vjeç, ikë nga vendi i ngjarjes

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur rreth orës 12:30 minuta në Klinë të Mesme të Skënderajt, me ç’rast një fëmijë 8 vjeç ka marrë lëndime të rënda trupore. Ai është dërguar fillimisht në QKMF-në e Skënderajt, e pastaj është transferuar në Qendren Emergjente në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, e nga aty në QKU.
Gjendja shëndetësore e 8-vjeçarit M. O, thuhet të jetë tepër e rëndë dhe ai jetën e ka në rrezik. Dr. Afërdita Rama, e cila e ka trajtuar 8-vjeçarin në QKMF-në e Skënderajt, tha se për shkak të gjendjës së rëndë të tij, ai është dërguar me të shpejtë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. “Lëndimet që ka marrë ai janë tepër të rënda”, ka thënë shkrut dr. Rama.
Në anën tjetër, vozitësi që ka shkaktuar aksidentin ka ikur nga vendi i ngjarjës, dhe nuk është ndalur për t’i ndihmuar viktimës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, duke konfirmuar rastin tha se i dyshuari është dorëzuar në Stacionin e Policisë në Drenas. “Ai është dorëzuar në Stacionin e Policisë në Drenas. Ka deklaruar se është frikësuar për sigurinë e tij dhe për këtë arsye është larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas hetimeve të para, i dyshuar nuk u është përshtatur kushteve të rrugës, me gjasë ka ngarë veturën me shpejtësi, e ka goditur viktimen me pasqyrë dhe e ka përplasur. Ai është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje”, ka thënë zëdhënësi rajonal i policisë, Avni Zahiti, i cili ka shtuar se ka informacione se gjendja shëndetësore e viktimës edhe mëtutje është e rëndë.