863 studentëve të komunës së Bujanocit sot i ndahen bursat

Bursat studentore për vitin akademik 2013/2014 do të ndahen gjatë ditës së premte (4 prill) me fillim në orën 14h në shtëpinë e kulturës në Bujanoc.
Shuma e përgjithshme e cila është ndarë nga buxheti komunal për bursa është 10 milion dinarë, ndërsa shuma për individë është klasifikuar në bazë të notës mesatare.
“Studentët e vitit të parë do të marrin nga 10.000 dinarë, kurse për vitet tjera varësisht nga nota mesatare ,ku nga nota 6.00-7.00 do të kenë 11.000 dinarë, nga 7.00-8.00 nga 13.000 dinarë, nga 8.00-9.00 nga 17.000 dinarë, dhe nga 9.00-10.00 nga 20.000 dinarë”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të komunës së Bujanocit, transmeton Titulli.
Për dallim nga studentët që studiojnë jashtë Bujanocit, ata të fakultetit që vepron në këtë qytet, për shkak të shpenzimeve më të ulëta, nga buxheti i komunës do të përfitojnë nga 7.000 dinarë.
Ndarja e bursave për studentë do të bëhet në dy këste, në të parin do të marrin 10.000 dinarë, ndërsa mbetja tjetër në këstin e dytë.
Për të fituar bursat që ndahen nga komuna e Bujanocit sipas Komisionit për pranim dhe shqyrtim të kërkesave kanë aplikuar 943 studentë që kanë vendbanim në këtë komunë./Titulli.com/