Gazetari italian zbardh negociatat Obama-Rama për armët kimike

Pavarësisht se është diskutuar dhe shkruar shumë, ende çështja e armëve kimike të Sirisë që do të asgjësoheshin në Shqipëri, vijon të ketë pika të errëta.  Gazetari italian Carlo Bollino hedh dritë pikërisht tek këto “pika të errëta” në librin e tij “Heshtja e dyfishtë – E vërteta për armët kimike në Shqipëri”. Në një intervistë në gazetën e tij “Shqiptarja.com”, gazetari i njohur zbardh detaje interesante. Sipas tij, që në fillim negociatat për armët kimike kanë nisur me një keqkuptim komunikimi mes kryeministrit shqiptar dhe administratës italiane. “Nga informacioni që kam unë, reagimi i parë i kryeministrit ishte një Po në parim. Dhe një Po në parim ne e dimë mirë që në shqip nuk është një Po përfundimtare. Është një Po pikërisht në parim, pra diskutojmë, është fillimi i diskutimeve. Ndërsa për  realitetin amerikan një Po në parim është një Po e mbyllur” thotë Bollino ndërsa evidenton faktin se ky moment ka ndryshuar dhe ndikuar rrjedhën e negociatave.
“Amerikanët kishin nënkuptuar se kjo Po në parim e kishte mbyllur marrëveshjen dhe kishin mbetur për t’u diskutuar detajet. Ndërsa ndryshe ishte kuptuar nga pala shqiptare. Ata caktuan një sërë kushtesh, nga të cilat një prej kushteve kryesore nuk është pranuar asnjëherë. Pra një kusht, të cilin unë e kam përmendur disa herë në libër çoi deri në dështimin e një marrëveshjeje të mundshme me amerikanët” thotë Bollino ndërsa zbardh faktin se kryeministri shqiptar më pas ka parashtruar kërkesat e tij zyrtare në Departamentin Amerikan të Shtetit, në mënyrë që të shmangte keqkuptimet.
Sipas gazetarit italian, më pas të gjithë negociatat janë kushtëzuar nga këto kërkesa dhe nga mungesa e një përgjigjeje për këto kërkesa. Ai e cilëson si mister të pashpjegueshëm faktin se Rama nuk mori përgjigje për kërkesat e tij. “Ky është misteri i vërtetë. Pasi disa nga kërkesat ishin lehtësisht të zbatueshme. Një nga zyrtarët shqiptarë që kam intervistuar më ka thënë se: nëse amerikanët do të ishin përgjigjur disa prej atyre kërkesave marrëveshja do të ishte mbyllur shumë kohë më parë. Rama do të kishte mundësi për të hedhur në diskutim këtë çështje në parlament në qeveri e për ta bindur opinionin publik që kjo nuk ishte një marrëveshje që do të cenonte ndotjen e ambientit apo sigurinë kombëtare. Por këto kushte nuk u realizuan asnjëherë” thotë Bollino.  Sipas tij, një tezë mund të jetë ajo e uljes së çmimit të negociatave, pasi duke filluar nga ajo “Po” në parim, mund të jetë menduar se qeveria shqiptare mund të bjerë dakord me fare pak kushte.
Por pse Shqipëria paraqitej si vend i favorshëm për realizimin e këtij procesi? Në libër Bollino e lidh edhe me faktin se do të përdorej një teknologji e re, të cilën Shqipëria nuk do të mund ta përdorte apo kopjonte. “( Impiantin FHDS ) Ky është një impiant që Pentagoni e kishte porositur tek industria ushtarake amerikane dhe i ishte dorëzuar Pentagonit vetëm në muajin korrik. Ndërkohë, ne flasim për një histori që ka nisur në muajin shtator. Pra në korrik, dy muaj përpara, Pentagoni kishte marrë në dorë impiantin për asgjësimin e armëve kimike. Ishte një impiant i lëvizshëm me një vlerë të jashtëzakonshme në treg, pasi problemi më i madh në asgjësimin e armëve kimike është pamundësia e lëvizjes së tyre.
Është më mirë të lëvizet impianti sesa armët kimike. Pentagoni e kishte testuar, por nuk e kishte eksperimentuar asnjëherë dhe në asnjë vend, në asnjë operacion real. E kishte testuar në laborator por jo në terren dhe këtu kemi të bëjmë jo vetëm me sekret ushtarak, por edhe një sekret industrial, sepse është një teknologji krejt e re. Unë mendoj se amerikanët në këtë rast kishin nevojë për një vend të sigurt  nga pikëpamja e sekretit ushtarak, gjë që Shqipëria e përmbushte. Por, gjithashtu ishte e nevojshme të gjendej një vend i vogël, i cili s’do të mund ta përdorte dot vetë këtë impiant, por të linte në dorën e ekspertëve amerikanë përdorimin e impiantit. Dhe këtë vetëm Shqipëria mund ta lejonte.  Fjala vjen Turqia, një superfuqi ushtarake do të kërkonte ta shtinte vetë në dorë impiantin” vijon Bollino.
E në librin e tij, për herë të parë Bolino zbardh letrën që Obama i ka dërguar Ramës, sëbashku me arsyet se pse kjo letër nuk u bë asnjëherë publike. “…letra që Obama i ka dërguar Edi Ramës, një letër ku nuk përmendet në të vërtetë asgjë më shumë sesa një përshëndetje dhe disa vlerësime, por që nuk plotësonin asnjë nga ato kushte që kishte vendosur kryeministri Rama. Ndoshta për palën amerikane kjo letër mjaftonte, por për administratën shqiptare kjo nuk mjaftonte. E mbase për këtë arsye edhe nuk është publikuar” thotë Bollino.

Leave a Reply

Back to top button