Magazina
Shpejtësia po vret engjëjt tanë
Një aksident i shkaktuar nga tejkalimi i shpejtësisë po e shkatërron një familje. Nga ai pësuan dy fëmijët e tyre, binjaket 10 vjeçare, njëra nga të cilat vdiq e tjetra është në gjendje të rëndë. Express sjell rrëfimin për këtë tragjedi që e shkaktoi një vozitës që është 16 vjeçar.
“Njeriu duhet të bëjë sabër.” Kështu e fillon rrëfimin Vetoni, xhaxhai i Arjetës e Mirjetës, motrave binjake të cilat u shkelën nga vetura, e cila drejtohej nga një i mitur 16 vjeçar, të mërkurën e 30 korrikut, në Pozharan të Vitisë.
Fatkeqësia që la të vdekur një vajzë 10 vjeçare, e në gjendje shumë të rëndë motrën e saj binjake (sipas mjekëve ‘gjendje kome e papërmirësueshme’),ka goditur rëndë familjarët. Prindërit e vajzave nuk kanë fuqi as të flasin. Ata po e përjetojnë më së rëndi gjithë këtë ngjarje.
“Babai i tyre ka shkuar në mërgim për ta përmirësuar sado pak gjendjen ekonomike të familjes,” thotë xhaxhai i vajzave, Veton Alidema. Ai shton se kishte më shumë se tri vite që babai i tyre nuk i kishte takuar vajzat.
Ai rrëfen se si ka ndodhur ngjarja.
“Kemi qenë në kafeteri. Vajzat sa patën shkuar deri në dyqan, kur dëgjuam një krismë të madhe. Menduam se ndodhi ndonjë ndeshje, i hyri vetura përfundi kamionit. Por, kur kemi dalë për të shikuar se ç’kishte ndodhur, pashë të shtrira dy vajzat e vëllait tim.”
Ai më tutje tregon se njëra nga binjaket, Arjeta, kishte vdekur menjëherë, ndërsa Mirjeta është dërguar fillimisht në spitalin e Gjilanit e pastaj është transferuar në QKUK, ku ndodhet edhe tani.
Ani pse vajza është ende në spital, xhaxhai i saj e pranon që gjendja është kritike dhe nuk pritet ndonjë përmirësim.
“Ajo është në spital, por me sa më kanë treguar familja që po qëndrojnë atje me të, gjendja është shumë e keqe. Mund të them se është 99% e vdekur e një për qind e gjallë,” thotë Vetoni.
Duke folur për shkaktarin e kësaj fatkeqësie, Vetoni tregon se shoferi ka qenë një bashkëfshatar dhe kushëri i tyre. Ai thotë se këtë punë do t’ia lënë në dorë gjyqit dhe ligjeve të Kosovës.
“Do të vendosim që këtë punë ta lëmë në dorë të gjyqit dhe ligjeve të Kosovës. Besoj që as ai (shoferi) nuk ka dashur ta shkaktojë këtë fatkeqësi,” ka thënë ai duke shtuar se familja e shkaktarit të aksidentit kanë qenë edhe në varrimin dhe të pamen e Arjetës.
Xhaxhai, Vetoni, tregon se binjaket kanë qenë hareja e shtëpisë.
“Vëllai im ka pasur gjashtë vajza. Arjeta e Mirjeta kanë qenë të dytat, por më të dashurat e familjes. Ato gjithmonë kanë qenë të gjalla dhe i kanë sjellë gëzim shtëpisë.”
Ai thekson se kjo ngjarje është dhimbje e madhe për ta. Arjeta e vdekur, në njërën anë. Mirjeta, në anën tjetër në gjendje kritike kanë qenë goditje e rëndë për gjithë familjen. Mirëpo ata prapë mundohen të përmbahen dhe vazhdojnë ta përsërisin se “njeriu është më i fortë se guri. Duhet pasur durim.”