LajmeMagazina

Bie numri i studentëve nga Lugina në UP, rritet në Tiranë, Tetovë…

Moszbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi në fushën e arsimit ka zbrazur Universitetin e Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” nga të rinjtë e Luginës së Preshevës. Mosnjohja e diplomave të UP-së nga institucionet e Serbisë po orienton  të rinjtë e Luginës të studiojnë në Universitetin e Tiranës si dhe në atë të Tetovës, por jo dhe në Universitetin e Prishtinës si më parë. Tash interesimi i të rinjve të Luginës për të studiuar në UP ka shënuar rënie, madje në nivelin që edhe në drejtimet e mjekësisë të ketë vende të lira në kuotat e rezervuara për ta. Shqetësimi për të ardhmen e tyre në Serbi me diploma të Kosovës po i demotivon të mbarojnë studimet edhe studentët që nga Lugina po studiojnë aktualisht në UP. 

(adsbygoogle = window.adsbygoogle || []).push({});

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Galip Beqiri,ka thënë për “Zërin” se mosnjohja e diplomave të Kosovës nga shteti serb, po detyron të rinjtë e Luginës së Preshevës që t’i drejtohen për studim Universitetit të Tiranës dhe atij të Tetovës. Marrëveshja për njohje të diplomave, e arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nuk ka arritur, sipas tij, të krijojë një ambient në Serbi që diploma e Kosovës të pranohet.
Sipas statistikave që disponon Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Luginën e Preshevës jo më shumë se gjashtë diploma të UP-së është arritur të validohen në Serbi dhe t’iu njihet e drejta e punësimit të rinjve që kanë studiuar në Kosovë. Beqiri thotë se mosnjohja e diplomave është bërë shkak që të bjerë interesimi i studentëve të Luginës për të studiuar në Kosovë – UP. Kjo rënie, ai thotë se vërehet sidomos në 3-4 vitet e fundit.
Tash të rinjtë e Luginës, ai thotë se po shkojnë të studiojnë më shumë në Tiranë, ndonëse Prishtina gjeografikisht ndodhet më afër dhe më e përshtatshme për ta si ambient. “500-600 veta aktualisht nga Lugina studiojnë në Universitetin e Tiranës”. Ndonëse edhe njohja e diplomave të Tiranës në Serbi është një proces jo më pak i lehtë sesa ai i Kosovës, Beqiri thotë se shpresat janë më të mëdha që ato diploma të njihen më shumë sesa diplomat e Kosovës, “e për të cilat diploma (të Kosovës) ekziston dhe një marrëveshje për njohje të tyre nga Serbia, që s’po zbatohet”.
Beqiri thotë se përfaqësuesit e Kosovës duhet të kërkojnë zbatimin e marrëveshjes sidomos atyre që kanë të bëjnë me fushën e arsimit në Luginë, pasi që ai thotë se përveç mosnjohjes së diplomave ka probleme edhe me tekstet shkollore që botohen në Kosovë të përdoren në Serbi, pastaj plan-programet e panjësuara…

Arbër Morina, këshilltar politik i ministrit të Arsimit Ramë Buja, thotë se kjo Ministri ka krijuar gjithmonë hapësirë për studim të të rinjve nga Lugina, sidomos në UP. Ai thotë se në bashkëpunim dhe me Universitetin, sipas hapësirës kanë lejuar kuotat për këta të rinj, e të cilat beson se në përputhje me kërkesat e tyre do të ofrohen dhe në konkursin plotësues që do të shpallet këto ditë nga UP-ja. Morina ka thënë se kjo Ministri ka kryer të gjitha obligimet e saj sa i përket marrëveshjes për njohjen e diplomave, dhe se në koordinim me kryenegociatoren në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se do të bisedohet dhe të shqyrtohet edhe shqetësimi i të diplomuarve në UP që tash në Serbi nuk u njihen diplomat dhe të zgjidhet në nivele më të larta politike.

Studentët, të pamotivuar nga UP-ja

Rexhije Osmani, nga Bujanoci, studente në Departamentin e Shkencave Politike në UP, thotë se mosnjohja e diplomave i ka demotivuar të rinjtë e Luginës që të studiojnë në këtë universitet. “Gjatë studimeve kalojmë nëpër sfida, vështirësi dhe shpenzime financiare, ndërsa kur marrim diplomën mbesim askund”.

Ajo thotë se e ardhmja e këtyre studentëve nuk është as Kosova dhe as Lugina me këto diploma. Osmani, e cila ndodhet në vitin e tretë të studimeve, thotë se të rinjtë e Luginës janë të zhgënjyer. “Kjo që po pësojmë ka dhe efekt psikologjik, jo pak të rinj mund të bien në depresion, pasi që nuk u njihen diplomat dhe nuk mund të punësohen, por mbesin të izoluar”. Ajo kërkon që institucionet e Kosovës të bëjnë më shumë për të rinjtë e Luginës. “Nuk po kërkojmë diçka më shumë veç të drejtat tona. Në Kosovë serbët po gëzojnë diskriminim pozitiv, kurse neve nuk na njihen studimet”, thotë ajo.
Zuale Fetahu është një studente tjetër e UP-së nga Bujanoci që studion në Departamentin e Shkencave Politike. Ajo thotë se marrëveshjet vetëm janë nënshkruar, ndërsa nuk po zbatohen. Fetahu thekson se ky rajon është i harruar për institucionet e Kosovës dhe se të drejtat e të rinjve në Luginë nuk shihen si prioritet. Numri i të diplomuarve të Luginës në Kosovë që ka nostrifikuar diplomat në Serbi, në bazë të marrëveshjes së Brukselit, ka arritur vetëm në 5-6 veta. 

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button