LajmeMagazina

Presidentja Jahjaga kthehet me një “zarf” nga Amerika

Tre muaj pas dështimit të liderëve kosovarë për të krijuar institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit, ndërkombëtarët sërish janë detyruar të ndërhyjnë.
Me krizën politike në Kosovë tani po merret edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.
Burime të Top Channel brenda institucioneve të Kosovës kanë treguar me kusht anonimiteti, se presidentja Atifete Jahjaga gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara do të diskutojë për krizën politike në vend.
Top Channel ka mësuar se presidentja Jahjaga do të ketë një takim me ndihmës/sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland, nga e cila pritet të marrw edhe instruksionet amerikane se si të procedojë pasi të kthehet javën e ardhshme në Prishtinë.
Departamenti Amerikan i Shtetit tanimë i ka të njohura qëndrimet e dy blloqeve politike në Kosovë, pasi që ndihmës/sekretarja Nuland ka qëndruar në Kosovë në muajin korrik, ku një muaj pas zgjedhjeve e kishte ndier atmosferën e krijuar.
Po ashtu, disa nga liderët e Bllokut paszgjedhor tanimë kanë takuar ditëve të fundit disa ambasadorë të vendeve të Quintit, me të cilët kanë diskutuar për krizën politike.
Zyrtarë të lartë të subjekteve politike nuk kanë pranuar të flasin zyrtarisht për këto zhvillime, por kanë pohuar se tanimë kanë marrë instruksione nga miqtë ndërkombëtarë që të mos të synojnë të ndërmarrin hapa të njëanshëm, pa marrë një përgjigje nga ndërkombëtarët.
Ndërkohë, kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina ka konfirmuar se këtë javë nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive.
Ajo ka deklaruar se vazhdimi i seancës do të ndodhë në fund të javës së ardhshme, më 2 tetor.
Presidentja Jahjaga pritet që menjëherë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të thërrasë në takime të ndara secilin kryetar të partive parlamentare për t’ua transmetuar mesazhin amerikan.
Pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve për dalje nga kriza, kanë filluar të qarkullojnë edhe skenarë të ndryshëm për krijimin e institucioneve, por deri tani zgjedhjet e reja të parakohshme askush nuk i sheh si opsion për të dalë nga kriza.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button