Në lagjen rome të Bujanocit, “Morava 76”, ngjitur me ndërtesën e refugjatëve të vendosur në këtë qytet, është ndërtuar parku për fëmijë.
Projekti “Zhvillimi i infrastrukturës në vendbanimet rome në jugun e Serbisë” në kuadër të së cilit është ndërtuar ky park rekreativ për fëmijë, sipas financuesit më të madh të saj “Caritas Luxembourg”, si qëllim kryesor ka përmirësimin e infrastrukturës sociale dhe krijimi i kushteve më të mira për jetesë në vendbanimet romë në jug të Serbisë.
“Në vendbanimin ‘Morava 76’ në Bujanoc nuk ka pasur asnjë hapësirë të sigurt për të lozur fëmijët, me këtë ndërtim të parkut është kontribuuar në përmirësimin e interaksionit social në mes të banorëve të këtij vendbanimi dhe gjithë komunitetit, posaçërisht në mes të rinjve dhe fëmijëve”, njofton Fondi Caritas, transmeton Titulli.
Parku për fëmijë përmban lodra, ulëse, mini terren sportiv për futboll dhe basketboll. Shuma e përgjithshme kapë vlerën rreth 2.5 milionë dinarë, ku 71,43 për qind të mjeteve ka dhënë Fondacioni “Caritas Luxembourg” dhe 28,57 për qind komuna e Bujanocit.
Vlen theksuar se në afërsi të lokacionit të këtij parku dikur ishte kampi me refugjatë “Salvatore”. Kjo qendër kolektive është mbyllur në qershor të këtij viti kur edhe 20 familjeve, kryesisht refugjate nga Kosova, iu dorëzuan çelësat e banesave të tyre.