Dy shtetas kosovarë, janë qëlluar për vdekje nga pronari i tyre Xhanluka Çiferri në Fermano të Italisë.
Viktimat janë Valdet Avdyli 26 vjeç dhe Neomedim Mustafa 38 vjeç. Autori i vrasjes ka lajmëruar menjëherë policinë dhe ambulancën, por fatkeqësisht dy kosovarët humbën jetën para se të mbërrinte ndihma e shpejtë.
Çiferri deklaroi në polici se ish-punonjësit e tij e kishin ndaluar në mes të rrugës dhe kishin debatuar për çështje ekonomike. Ende nuk dihet nëse viktimat pretendonin ndonjë pagë të vonuar, apo para shtesë, por debati u kthye në një tragjedi të vërtetë.
Autori u arrestua menjëherë ndërkohë që policia sekuestroi armën e tij që e mbante me leje. Aktualisht po vijojnë hetimet për të gjetur shkakun e kësaj vrasjeje të dyfishtë.
Ndërsa pas krizës financiare në Evropë, e cila kishte kapluar edhe Italinë, shumë punotorë kosovarë që kishin punuar në Itali, kishin ngeluar pa i marrë pagat e tyre. Pronarët italianë të kompanive, kryesisht të ndërtimit, u kanë borxhe shumë punëtorëve kosovar e në raste të caktuara edhe firmave të vogla të cilat emigrantët i kishin hapur atje.