Ismail Morina, i njohur tashmë si Ballist Morina, me shumë gjasë është shqiptari që ngriti dronin mbi stadiumin e Beogradit. Videos së tij i është shtuar tashmë edhe një raport i gazetës serbe Kurir, e cila ka hetuar mbi djaloshin shqiptar. Në shumë pjesë, raportimi i Kuriri përputhet me rrëfimin, që një mik i Morinës, ka bërë për lapsi.al.
Morina, siç dëshmohet edhe nga video që ai ka postuar dy muaj përpara ndeshjes, më 13 gusht, duket se e ka menduar me kohë gjetjen e tij, që më pas do të merrte nga të gjithë epitetin gjeniale. Dhe me siguri që ka pasur një plan për të vënë në jetë lojën e tij me dronin që i çmendi mbi 30 mijë serbët në stadium.
Djaloshi 32 vjeçar ka hyrë në Serbi tre ditë përpara ndeshjes për të zhdukur çdo dyshim që mund ta lidhte atë me mbrëmjen e 14 tetorit.
Më 11 tetor, ai ka kaluar kufirin tokësor me një makinë me targa italiane. Sipas dëshmisë që lapsi.al ka siguruar, Ismail Morina jetonte në Itali dhe me kartën italiane të identitetit ai është regjistruar në një hotel modest në Beograd, jo shumë larg nga stadiumi ku do të zhvillohej ndeshja e futbollit.
Morina ne Milano. Ai hyri ne Serbi me një makinë me targa italiane dhe u regjistrua në hotel me një karte identiteti italiane.
Përgjatë dy ditëve, Morina ka pasur mundësi të vëzhgojë mundësitë për të vënë në jetë idenë e tij “të çmendur”: në një stadium ku nuk u lejuan as tifozët dhe as simbolet e kombëtares shqiptare ai të ngrinte një flamur të Shqipëri Etnike.
Ka disa variante për vendin të cilin ai zgjodhi për të ngritur dhe për të komanduar në largësi dronin historik.
Për shkak se nuk ka ende një dëshmi të dorës së parë nga vetë protagonisti, lapsi.al po i referohet në këtë shkrim, një miku të Morinës nga Kosova, i cili thotë se versioni i tij është më pranë të vërtetës.
Ai rrëfen se objekti që zgjodhi Morina, ishte një kishë jo shumë larg stadiumit të Partizanit. Morina shkoi atje gjatë ditës së 14 tetorit dhe e ka fshehur dronin në një vend nga ku e kishte të lehtë ta nxirrte në mbrëmje. Ai vetë ka qëndruar i fshehur për orë të tëra pranë kishës duke pritur të binte mbrëmja dhe të fillonte ndeshja.
Kur në stadiumin e Partizanin ushtonin thirrjet “vrite shqiptarin”, Morina është afruar në vendin ku kish fshehur dronin, e ka nxjerrë atë dhe është ngjitur në kulmin e kishës, nga ku ka komanduar më pas fluturimin e dronin. Ngjitja nuk ka qenë e lehtë, pasi atij i është dashur të mbajë dronin, flamurin dhe telekomandën, por ia ka dalë.
Sipas gazetës Kurir, e cila pretendon se ka investiguar mbi Morinën, ai merret kryesisht me alpinizëm dhe ngjitje të vështira, kështu që ia ka dalë më së miri të realizojë objektivin e tij.
Dhe se sa mirë ia doli, kjo u pa nga miliona sy në të gjithë botën, duke u vendosur në qendër të opinionit me gjetjen e tij.
Sigurisht që një ide e tillë mund të jetë menduar nga Morina edhe si thjesht një lojë për të çmendur ultranacionalistët serbë, por ajo që ndodhi më pas i kaloi kufijtë e provokimit paqësor.
Çka rrodhi më pas ishte një valë sulmesh nga zyrtarët, mediat dhe publiku serb kundrejt shqiptarëve dhe një ndjenjë krenarie e shqiptarëve për sfidën e madhe në zemër të Beogradit.
Ismail Morina do ta ketë kuptuar këtë rreth një orë më vonë, kur ndeshja u ndërpre dhe stadiumi u rrethua nga mijëra forca policore.
Sipas të njëjtit burim, ai është larguar menjëherë nga Serbia nëpërmjet kufirit me Kosovën, ku policëve të tronditur nga ngjarja nuk u ka ngjallur asnjë dyshim.
Nga ideja se flamuri ishte vepër e ndonjë grupi të sofistikuar (RTV serb ndërkohë transmetonte lajmin se pas ngjarjes qëndronte vëllai i kryeministrit shqiptar) ata as që kanë menduar se 32 vjeçari me pamje modeste ishte autori i talljes publike me ta në mes të Beogradit.
Tani, sipas gazetës Kurir, autoritetet serbe i kanë kërkuar Interpolit t’u vi në ndihmë për të gjetur shqiptarin e krisur.
Historia e “Ballist” Morinës mbyllet këtu. Nuk dihet nëse ai qëndroi në Kosovë, kaloi në Shqipëri apo u kthye në Itali.
Ashtu siç nuk dihet me siguri nëse kjo histori do të vërtetohet ndonjëherë zyrtarisht apo ngritja e flamurit në Beograd do të mbetet pa një autor të njohur, për të marrë trajtat e një akti të të gjithë shqiptarëve.
Që tani droni i krisur i 14 tetorit po shndërrohet çdo ditë në legjendën e ngritjes së flamurit të Shqipërisë Etnike në zemër të Serbisë.