LajmeMagazina

Me hatër a me zor, zgjidhja – në fund të tetorit

Fundi i këtij muaji, sipas të gjitha gjasave, do të mbyllet me daljen nga kriza politike në të cilën gjendet aktualisht Kosova, ndërsa kjo ka të ngjarë të bëhet e ditur nga presidentja Jahjaga, me përkrahjen ndërkombëtare.

Vizita në SHBA, takimet e zhvilluara me zyrtarë të lartë amerikanë që asnjë president i vendeve të rajonit nuk i kishte, pritja me nderime të larta në Ëest Point etj. kanë pasur për qëllim që pozita e Presidentes të fuqizohet deri në pikën ku të gjithë e kuptojnë se ‘ndërhyrjet’ e saj do ta kenë përkrahjen e plotë të SHBA-ve.
Zgjidhja, ndonëse ka elemente që ende po i definohen, do të arrihet duke respektuar 4 rregulla që  tashmë u janë komunikuar të gjitha partive politike. Këto rregulla e kanë përkrahjen e plotë edhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë, thonë burime të Indeksonline.

Nëse edhe javën e ardhshme nuk do të ketë shenja të daljes nga kriza, ndërhyrja do të arsyetohet me faktin se janë disa gjëra që duhet kryer para përfundimit kalendarik të këtij viti.

Formimi i Gjykatës Speciale duhet sa më shpejt që është e mundur të miratohet nga Kuvendi i ri, dhe kjo gjë konsiderohet si një nga çështje më me rëndësi për Kosovën. Parlamenti i ri duhet patjetër të miratojë edhe disa ligje që deputetët e parlamentit të fundit dështuan t’i miratojnë. Një prej këtyre ligjeve është edhe ligji që e ndalon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja.
Katër rregullat në bazë të të cilave do të arrihet zgjidhja e krizës politike janë:

1)   Dialogu duhet patjetër të vazhdojë në të njëjtin format dhe intensitet dhe ai do të udhëhiqet nga kryeministrat e të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë.

2) Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet patjetër të respektohen dhe kjo nënkupton që vetëm koalicioni fitues i zgjedhjeve ka të drejtën e nominimit për kryetar të parlamentit.
3) Qeveria e re duhet të jetë gjithëpërfshirëse me minoritetet, me pjesëmarrje kualitative të Listës Serbe.
4) Integrimi Evropian nuk mund të ndahet nga marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe se Kosova duhet të fuqizojë përpjekjet për reforma, por në të njëjtën kohë të luajë rol pozitiv në lidhje me fqinjët dhe dialogun aktiv me Serbinë.

Pika 1, 3 dhe 4 e përjashton Lëvizjen Vetëvendosje nga formula qeverisëse, për shkak të qëndrimit të saj për ndryshim të formatit të dialogut dhe pamundësisë që në një kabinet qeverisës të jenë Lista Serbe dhe LVV.
Lëvizje Vetëvendosje insiston që shteti i Kosovës të bëjë dialog me serbët e Kosovës, ndërsa lideri i saj,  Albin Kurti, në një intervistë të dhënë dje një mediumi serb, konfirmoi se kjo parti insiston që pajtimi arrihet vetëm atëherë kur Serbia e njeh Kosovën. Faktori ndërkombëtar konsideron që ky insistim është kundër produktiv pasi ata duan që të dy vendet të vazhdojnë dialogun pa kushtëzim të atillë, pasi kryesorja është që të dy vendet të ecin para në procesin e integrimit euro-atlantik. Kjo do e nxirrte Kosovën nga një izolimi i mundshëm ndërkombëtar, ndërsa Serbinë e largon edhe më shumë nga Rusia.
Partia Demokratike me koalicionin e saj do të jetë e vetmja që ka të drejtën e nominimit për kryetar të parlamentit. Kjo pikë nuk vihet aspak në diskutim dhe këtu sipas të gjitha gjasave parashihet edhe arritja e zgjidhjes pasi marrëveshja e koalicionit pas zgjedhor në mes të LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën parasheh ndarjen e pushtetit në mes të Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt.

Isa Mustafa edhe publikisht e ka konfirmuar që në rast se nuk arrin të zgjidhet kryetar i Parlamentit,  marrëveshja e LAN-it bie. Më 5 shtator, Mustafa, në prani të Haradinajt dhe Limajt, iu kishte thënë gazetarëve që ai lëshime të tjera nuk bën dhe se projekti i këtij koalicioni do të prishej nëse nuk zgjidhet kryeparlamentar.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button