Federata Serbe e Futbollit (FSS), ka vendosur që të pranojë tifozët shqiptarë në përballjen Serbi-Shqipëri.
Serbia dhe Shqipëria do të përplasen më 14 tetor në Beograd në kuadër të eliminatorëve të Evropianit 2014. Tashmë Federata serbe ka pranuar kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për të iu dhënë bileta tifozëve shqiptar.
FSS, përmes uebfaqes së vetë zyrtare, ka treguar se do t’i pranojë tifozët shqiptarë, por që përgjegjësinë për ta do ta marrë FSHF-ja.
“FSS dëshiron ta demonstrojë dëshirën e madhe dhe gatishmërinë për një organizim sa më të mirë që të jetë i mundshëm për këtë ndeshje. Me këtë rast, organizatori do ta sigurojë numrin e paraparë të biletave në dispozicion për tifozët e Shqipërisë. Ndërkaq, e njëjta gjë do të ndodh edhe me ekipin shqiptar, më 8 tetor 2015, në ndeshjen e kthimit”, është thënë në njoftimin e FSS-së.
“FSHF do t’i marrë të gjitha përgjegjësitë për sjelljen e tifozëve të tyre. FSS do ta fillojë bashkëpunimin me autoritetet e shtetit rreth organizimit të ndeshjes Serbia – Shqipëria, me besimin se së bashku do ta shfrytëzojmë këtë mundësi ta bëjmë atë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thuhet në njoftimin e FSS-së.