Zgjedhjet e reja të parakohshme në Kosovë do të diskutoheshin vetëm nëse partitë politike nuk do të gjejnë asnjë zgjidhje tjetër. Një qëndrim i tillë kumtohet nga Zyra e Presidentes së Kosovës, përmes zëdhënësit Arbër Vllahiu.
Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se presidentja Atifete Jahjaga përmes bisedimeve me liderët e partive politike po kërkon një zgjidhje dhe nuk po e imponon atë. Sipas tij, për zgjedhje të reja të parakohshme, mund të diskutohet vetëm nëse dështon arritja e një marrëveshjeje për dalje nga kjo krizë për formimin e institucioneve të reja.
“Nëse nuk ofrohet asnjë zgjidhje dhe nëse zgjedhjet shihen si e vetmja alternativë e mbetur, atëherë duhet që vendin ta nxjerrim nga kjo situatë e pamundshme. Presidentja ka kërkuar zgjidhje, marrëveshje, dhe pajtim për të shmangur zgjedhjet”, ka deklaruar Vllahiu.
Zëdhënësi Arbër Vllahiu ka thënë, po ashtu, se presidentja Jahjaga, në këtë proces lehtësimi të bisedimeve me liderët e partive politike, i ka dëgjuar idetë dhe opsionet e tyre.
Duke e përjashtuar mundësinë e imponimit të ndonjë zgjidhjeje nga ana e presidentes, Vllahiu ka deklaruar tutje se u takon partive politike dhe liderëve të tyre që për tejkalimin e kësaj situate, ata vetë të gjejnë zgjidhjen.
“I gjithë procesi në Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, që udhëhiqet nga Presidentja është proces i lehtësimit të bisedimeve ndërmjet partive politike parlamentare, të diskutimeve që duhet të çojnë drejt një zgjidhjeje, të cilën duhet ta ofrojnë vetë liderët e partive politike parlamentare dhe duhet të gjejmë një mënyrë se si të dalim nga kjo situatë, në të cilën ndodhemi sot”, ka thënë Vllahiu.
Bllokada rreth krijimit të institucioneve të reja është krijuar pas ndarjes në dy blloqe të partive politike.
Për PDK-në dhe liderin e saj, Hashim Thaçi, zgjidhja duhet të gjendet mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Në rast se një zgjidhje e tillë nuk arrihet, PDK nuk e ka përjashtuar as mundësinë e zgjedhjeve si zgjidhje.
“Kërkohet një bashkëbisedim për të gjetur zgjidhjen e përshtatshme, të pranueshme në përputhshmëri me rezultatin zgjedhor, duke e respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Thaçi.
Në anën tjetër, blloku i krijuar pas zgjedhor, LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje, aktualisht është pozicionuar kundër opsionit të zgjedhjeve, duke pretenduar se e ka krijuar shumicën parlamentare.
Mirëpo, ky bllok nuk po arrin që marrëveshjen ndërpartiake ta zbatojë në praktikë, pasi që posti i ndarë i kryetarit të Kuvendit për LDK-në, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, i përket grupit më të madh parlamentar, që në këtë rast nënkupton PDK-në. Ky bllok i partive të koalicionit pas zgjedhor ende po insiston që zgjidhja të gjendet jashtë zgjedhjeve.
Pas raundit të fundit të bisedimeve me presidenten, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti kishte deklaruar se zgjedhjet po përmenden si një prej opsioneve, ndonëse kishte vënë dyshime se për një opsion të tillë mund të ketë bazë ligjore e kushtetuese.
“Mundësia e zgjedhjeve të reja është një prej opsioneve që përmenden. Ne asnjëherë nuk jemi kundër zgjedhjeve, por jemi të vetëdijshëm se në Kosovë nuk ekziston baza kushtetuese e ligjore për zgjedhje të reja”, ka theksuar Kurti.
Në Raportin e fundit të progresit, Komisioni Evropian i kishte cilësuar si ngecje dhe kthim prapa vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Tani, kur partitë politike kanë marrë edhe sinjalet e para se vendi mund të shkojë në zgjedhje nëse nuk gjendet një zgjidhje, ato mbase do të duhet të reflektojnë me ide e opsione tjera krahasuar me zgjidhjet e deritashme të ofruara. Në të kundërtën, opsionin e fundit tashmë e kanë të qartë.