LajmeMagazina

Zhurmëria propagandistike zgjedhore në Luginë

Sot e nesër, ligjërisht, i jepet fund fushatës paraelektorale për zgjedhjet e Këshillave të pakicave kombëtare në Serbi, të parapara për 26 tetor, të këtij viti.
Sa më afër heshtjes parazgjedhore, aq shumë ngrihet pluhur propagande nga subjektet politike, të cilat i kanë nxjerr nga sirtarët flamurët kombëtarë, si dhe kanë stolisur sheshet e rrugët e Luginës, me bilbordët e porosive: dilni e votoni, për numrat, që mbajnë listat e tyre zgjedhore.
Po të mos ishin njoftuar njerëzit se në Luginë të Preshevës, ka zgjedhje nacional, shumëkujt këto tubime elektorale do tu dukeshin si manifestime kulturore, apo ndeshje sportive.
Kujt i ka ra hise t’i përcjell tubimet elektorale, qoftë me pjesëmarrje direkte, qoftë përmes ekraneve televizive, s’ka se si të mos i ketë rënë në sy ngjyra e kuqe e Flamurit dhe s’ka si të mos i ketë rënë në vesh porosia: s’guxon kush të na e prek këtë Flamur, të larë me gjakun e dëshmorëve!
Në këto tubime elektorale, veç ngjyrës së fortë të Flamurit, u dëgjua edhe fjala e gjuhës së zjarrtë, nga goja e patriotëve të Koalicioneve partiake, se në Këshillin e ri Nacional, do të bëhet shumëçka, që na ka munguar deri sot: për dinjitet e identitet!
Nga premtimet çmendurake të këtyre subjekteve politike, u ngritën gjakrat dhe tensionet, duke zbrazur në logun e tubimeve dhe në debatet televizive, arsenalin e zhargonit të një fjalori, që moti nuk është dëgjuar në këto anë me kthesa të Luginës.
U shfrynë subjektet politike, nëpër këto tubime zgjedhore, duke sharë dhe akuzuar njëra – tjetrën për mospunë dhe gabime, për mossuksese e neglizhencë, për politizime e shantazhime.
Nuk mbet gjë pa u thënë e pa u prekur nëpër këto tubime elektorale, për të pushuar pakëz gjatë heshtjes parazgjedhore, për të shkëlqyer ditën e votimit, më 26 tetor, aty ku i presin kutitë e hapura dhe vota e besimit.
Beogradi, i cili i ka organizuar dhe motivuar pakicat kombëtare në Serbi, për zgjedhjet e këshillave nacionale, nuk e ka penguar asnjë tubim elektorat dhe nuk është konfiskuar asnjë material propagandistik dhe asnjë Flamur kombëtar, i cili si ligjeve në këtë shtet, është i ndaluar të përdoret lirshëm.
Shoqëria Civile “Perspektiva” dhe grupimi i qytetarëve, nuk kanë organizuar tubime elektorale me qytetar, por nuk ka munguar prezenca e tyre nëpër debatet televizive, për të shpalosur idetë e tyre se si do të duket Këshilli Nacional, pas 26 tetorit 2014.
Këto lëvizje qytetare, të cilat për herë të parë kanë nxjerrë kokë dhe kanë ngritur zërin për zgjedhjet nacionale, me asnjë fjalë nuk janë lavdëruar se do t’i ftojnë zgjedhjet, por kanë predikuar një frymë të re të jetës politike e shoqërore në Luginë të Preshevës, e cila, mjerisht, po vuan edhe sot nga ndjenja e të qenit i pari, në pushtet lokal, në pushtet qendror dhe në Këshillin Nacional.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button