Masakra e Tivarit është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve. Është folur dhe shkruar për atë në mënyrë të njëanshme dhe të paplotë, sepse nuk është marrë në shqyrtim pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e pushtetit komunist të Shqipërisë në këtë masakër, për mungesë të dhënash e dokumentesh, por edhe për fshehje të së vërtetës.
Për librin e historianit Paskal Milo, “Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore”, Uran Butka ka rezervat e tij. Ai ka bërë një replikë me Milon, duke u ndalur veçmas te Masakra e Tivarit, e vitit 1945, që është një nga tragjeditë më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve.
Masakra e Tivarit është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve. Është folur dhe shkruar për atë në mënyrë të njëanshme dhe të paplotë, sepse nuk është marrë në shqyrtim pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e pushtetit komunist të Shqipërisë në këtë masakër, për mungesë të dhënash e dokumentesh, por edhe për fshehje të së vërtetës.
Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar. Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviqit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim”.
Për Çubriloviqin dhe ata që zbatuan masivisht gjenocidin kundër shqiptarëve, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër ishte kolonizimi i trojeve shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, hercegovas, malazezë e maqedonas nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtare. Këto projekte kriminale antishqiptare dhe antinjerëzore, u bënë program dhe veprim konkret i PKJ dhe i Lëvizjes NÇJ ndaj shqiptarëve. Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dhanë, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50 për qind të banorëve shqiptarë” (Arkivi i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1).
Këtë bashkëveprim ndërmjet Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë për të luftuar së bashku, për të nënshtruar reaksionin antiserb në Kosovë dhe për ta ripushtuar atë me ndihmën e forcave ushtarake të Shqipërisë, e kërkonte qysh në muajin mars 1944 komandanti i Korpusit II Sulmues të Jugosllavisë, gjenerallejtënant Peko Dapçeviq. Tito, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ Jugosllave u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Misioni Ushtarak Jugosllav në Shqipëri prej shtatë ushtarakësh, me në krye kolonelin V. Stoiniq, i bashkërendonte veprimet e të dyja palëve. Kjo kërkesë u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç (Arkivi i FA, F.Shtabi i Pergj.).
Pala shqiptare u tregua e gatshme. Pasi vrau me mijëra nacionalistë të Ballit, Legalitetit dhe krerëve të Veriut përgjatë luftës civile në Shqipëri (!943-1944), komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, më 12 shtator 1944, i dha urdhër korparmatës të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë (Dokumente, Shtabi Përgj.vol.II). Po në këtë datë, mentari i E. Hoxhës, Miladin Popoviq, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH për Korpusin I: “Lajmëro Pavlen (Pavle Joviçeviq, shën.im UB) se dy brigadat shqiptare, së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!” (Aqsh, Fondi 14). Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi.
Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I: “Të mos i tregohet inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”( AQSHs, F.14). Në Kosovë ishin krijuar dhe vepronin organizata të fuqishme politike dhe ushtarake nacionaliste si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit e më pas “Besa Kombtare” dhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH ), që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Bashkëpunonte me ta edhe Muharrem Bajraktari dhe forcat e tij kombëtare. Në këto kushte, Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”. E.Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve, pa treguar as më të voglën tolerancë”(Arkivi i FA dosja 45 v.1944).
Në muajin nëntor 1944, u angazhuan në këtë luftë edhe Divizioni V, që përfshiu Brigadat III, V dhe XXV, dhe Divizioni VI (brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve. Komisari politik Ramiz Alia thotë në një intervistë se ka qenë në Bosnjë, kur ndodhi masakra. Nuk është e vërtetë. Më 3 mars 1945, ai dhe Divizioni V ndodheshin në Mitrovicë, mandej në gjithë Kosovën (Dokumenti i datës 3.03. 1945 i Shtabit të Përgjithshëm).
google_ad_client = “ca-pub-3995474441061688”;
google_ad_slot = “5970863453”;
google_ad_width = 336;
google_ad_height = 280;
Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në URDHËRVEPRIMIN e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë: “Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht… Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet” (AQSH Foni.181 d.45).
Urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovice e Drenicë, i dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Krsto Filipoviç (Arkivi historik i Jugosllavisë, k.1411). Masakra e Drenicës ishte prologu i Masakrës së Tivarit.
Më 8 shkurt 1945, u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇ të Jugosllavisë, J.B.Tito, pushteti ushtarak. Divizionet e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe forcimin e pushtetit jugosllav. Ato qëndruan në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare edhe pasi ishin larguar gjermanët nga Kosova dhe Jugosllavia, qysh nga shkurti i vitit 1945 e deri në dhjetor 1945, pra për 10 muaj, deri sa Kosova e viset e tjera shqiptare u bënë pjesë e Jugosllavisë dhe deri sa u bënë zgjedhjet, ku fitoi Fronti NÇ i Jugosllavisë. E konfirmojmë këtë edhe me Radiogramin e Reiz Maliles, zv.komisarit të Div.V: “Me rastin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 11 nanduer 1945 këtu në Kosovë, bëni konferenca speciale me kosovarët. Ditën e zgjedhjeve nxirrni forca të armatosura jo afër qendrave të votimeve, por gati para çdo gjëje të papritur. Reaksioni mund të tentojë për të sabotuar zgjedhjet. Prandaj të kihet kujdes. Pikë.”
Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim te brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e dhanë komandat e divizioneve e brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, që u vunë nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivorë, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonet) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është i dokumentuar.
Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI nënshkruar nga Komisari Politik Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rahman Parllaku etj., dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim, si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e diviz.V dhe VI tek ushtria jugosllave. Rahman Perllaku, i implikuar në këto ngjarje, për t’i shpëtuar përgjegjësisë, thotë se janë të falsifikuara(!) Lista e parë përmban 190 veta, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga prefekturat e Mitrovicës dhe të Pejës. Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V të Shqipërisë. Lista e tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar (AQSH, F.14 d.206 v.1945).
Po kështu edhe lista të Divizionit VI dhe brigadave partizane të Shqipërisë, që u bënin thirrje shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht i dorëzonin tek ushtria jugosllave.
Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës: “T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë” (AQSH, F.206, v.1945).
Si rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të mobilizuarit shqiptarë të Kosovës, që besonin te thirrjet e Komandës së Divizioneve të V dhe VI të Shqipërisë, u dorëzoheshin pabesisht Oznës dhe Komandës Ushtarake jugosllave dhe përfundonin si mish për top në kolonat e vdekjes, që ushtria jugosllave i largonte nga Kosova dhe i dërgonte për t’i asgjësuar në Tivar apo më tutje. Për shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV, mandej nga Brigada X malazeze, tregonte sesa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhet të përfundonte në një kasaphanë, ku do të merrnin pjesë pritësit dhe vetë shoqëruesit.
Të dhënat burimore ushtarake jugosllave tregojnë se ata që u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut, ishin 13.323 rekrutë shqiptarë. Nuk kishte asnjë rekrut serb, malazez apo maqedonas. Përse? Dihet, për të asgjësuar vetëm shqiptarë. Përse i kaluan nëpër territorin e Shqipërisë, kur kishin edhe rrugë të tjera për në Istria? Për t’i asgjësuar. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur “Golgota e madhe Shqiptare”, konstatonte Zekeria Cana.
Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945: “Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetash. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe u bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën( Arkivi i Luftës i Jugosllavisë, k.1411).
Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koçi Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm” (Ark.Min.Jashtme, v.1949, D.191).
Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu: “Xhelatët e Rankoviçit, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundër tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin” (B.Spahiu, Pretenca ne gjyqin e K.Xoxes, 1949). Autorizimin (lejen) për futjen e kolonave me rekrutët e Kosovës dhe asgjësimin e më se 1000 kosovarëve të pafajshëm, siç e cilësojnë dokumentet e mësipërme, e ka sigluar ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Haxhi Lleshi, por autoritetet e Shqipërisë ia faturuan Koçi Xoxes, si një kokë turku, për t’ia ngarkuar atij gjithë përgjegjësitë e kësaj masakre.
Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmëshekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë. Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë asgjë për të mbrojtur dhe siguruar jetën e tyre, jo vetëm që nuk protestuan për keqtrajtimin dhe vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të iknin nga kolonat e vdekjes (Arkivi MB, D.1623).
Po tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë, pjesë e së cilës ishte edhe rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare. “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish”( A.Hajdini, Letër e hapur).
Sipas të dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie. Kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj. “Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare dhe i pushkatuan para syve të kolonës, si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, deri sa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje!” (A.Hajdini, Masakra e Tivarit).
Në Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën. E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish. Në kazermat e Shkodrës u pushkatuan 11 shqiptarë, ndërsa në kalimin e Bunës, 18 të tjerë. Në mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit, ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë. Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.
Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë të kolonës së dytë prej Brigadës X malazeze, të komanduar nga krimineli Markoviç. Edhe nga kolonat e tjera me rekrutë shqiptarë të mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën. Sipas burimeve jugosllave dhe shqiptare rezulton se janë vrarë dhe zhdukur në këtë masakër 2.947 – 3.447 shqiptarë të pafajshëm. Por, sipas dëshmive të të mbijetuarve, ky numër i kalon të 4 000. Nga këta, sipas dokumenteve të Arkivave të Shqipërisë, mbi 1000 shqiptarë të Kosovës u vranë përgjatë rrugës nga Kukësi në Shkodër. Sipas Azem Hajdinit dhe dëshmitarëve të tjerë, nëpër territorin e Shqipërisë u vranë dhe u zhdukën 1500 shqiptarë të Kosovës.