Vozitësit kosovarë dhe ata nga Lugina e Preshevës ka shumë gjasa që brenda këtij viti të udhëtojnë nëpër të dy shtetet pa pasur nevojë të paguajnë taksën e sigurimit në kufi.
Kjo pasi Kosova dhe Serbia janë pajtuar të bëjnë njohjen e ndërsjellë të sigurimit të veturave, me çfarë pagesat në kufi marrin fund. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje pritet të bëhet brenda pak ditësh, por së pari kompanitë e sigurimit nga Kosova duhet të pajtohen me kushtet, për të cilën pritet të diskutohet në mbledhjen e 27 nëntorit, raporton KTV.
Kryesues i delegacionit për Kartonin e Gjelbër, Rrahim Pacolli, ka thënë se marrëveshja me palën serbe është kusht për nisjen e dhënies së Kartonit të Gjelbër për vendin tonë, pasi që Byroja Evropiane e Sigurimeve ka vënë si kusht që Kosova të ketë marrëveshje me të gjitha vendet e rajonit.
Ndërkaq pret që shtetet që s’e kanë njohur Kosovën të mos e bllokojnë këtë proces. Si ndryshim me këtë marrëveshje është fondi i kompensimit të dëmeve, i cili është ulur nga 4 milionë në 1.5 dhe do të mbahet në një bankë në Austri.
Kësaj marrëveshjeje nuk do t’i gëzohen edhe mërgimtarët, të cilët do të vazhdojnë të paguajnë në kufij për aq kohë sa do të qëndrojnë në territorin e Kosovës.
Siç transmeton Titulli, qytetarët shqiptar nga Lugina që përmes pikave kufitare Serbi (Luginë) kalojnë në Kosovë, që nga tetori i vitit 2013, me vendim të Qeverisë së Kosovës nuk paguajn për sigurim të veturës, mirëpo e njëjta nuk ndodh edhe me qytetarët shqiptar nga Kosova që me makinat e tyre hyjnë në Serbi. /Titulli.com/