LajmeMagazina

Rama u dëshmua si lideri i rajonit

Akademik Rexhep Qosja ka thënë se Edi Rama në paraqitjen e tij për media në Beograd u dëshmua jo vetëm kryeministri i Shqipërisë, praktikisht ai u dëshmua si lider i rajonit dhe kjo është me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët.

Qosja ka thënë se vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd ka rëndësi shtetërore se e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.
Rudina Xhunga: Si e përcollët vizitën e Edi Ramës në Beograd ?
Rexhep Qosja: Vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd ka rëndësi shtetërore. Pse ka rëndësi shtetërore? Ka rëndësi politike dhe shtetërore në radhë të parë se e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon. Ka rëndësi sepse e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë për inkuadrim në Bashkimin Europian. Ka rëndësi shtetërore sepse dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një shtet me të cilin Shqipëria ka sot marrëdhëniet më të mira në historinë e saj. Ka rëndësi për përkushtimin ndaj SHBA sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshirojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e dëshirojnë në përgjithësi normalizimin e marrëdhënieve shqiptare – serbe pas gjithë atyre që kanë ngjarë. Kjo vizitë e Edi Ramës në Beograd ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, për zhvillimet e mëtejshme Kosovë – Serbi. 
Rudina Xhunga: Si ju duk qëndrimi i kryeministrit Rama në Beograd? 
Rexhep Qosja: E kam ditur se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me përgatitjen që ka, me përvojën që ka, me dhuntinë politike dhe intelektuale që ka, do të jetë sipëror në atë takim, në ato bisedime dhe u tregua kjo që në momentet e para, sidomos në konferencën me gazetarët. 
Rudina Xhunga: Si ju duk qëndrimi i kryeministrit serb Vuçiq? 
Rexhep Qosja: Unë kryeministrin e sotëm të Serbisë Aleksander Vuçiq dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë Daçiq i njoh si njerëz të politikës që kur kanë qenë të rinj. Në të vërtetë Vuçiq konsomolas i Sheshelit dhe i partisë së tij dhe Daçiq ishte komsomolas i Milloshevicit dhe i partisë së tij socialiste. Vuçiq, më ka befasuar shumë, zgjedhja e tij si kryeministër, sepse ai ka një barrë të rëndë në jetëshkrimin e tij politik. Ai ka bërë me Sheshelin një politikë shumë agresive, jo vetëm nacionaliste, por shoviniste ndaj shqiptarëve, ndaj myslimaneve të Bosnjës e të Hercegovinës. Jo vetëm për mua, zgjedhja e tij si kryeministër i Serbisë ishte befasi për shumëkënd, por ja që u zgjodh sepse ai mori një drejtim politik pro evropian, me një ndryshim nga një numër i madh i politikanëve dhe intelektualëve në Serbi që janë të orientuar më tepër nga Rusia, e që e quajnë veten patriotë kurse këta i quajnë pro evropianë. 
Rudina Xhunga: Evropian apo jo ai tregoi se nuk është profesionist si politikan në momentin që hoqi kufjet, apo nuk i duhen dëshmi profesioniste, por patriotike për vendin që udhëheq? 
Rexhep Qosja: Çdo njeri e bën jetëshkrimin e vet në shtëpinë e tij dhe ai atë biografi të tij, ato sjellje të tij, atë mentalitet të tij politik e tregoi dhe në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd, i ranë maskat menjëherë dhe filloi të flas pa kontroll për shqiptarët, për Shqipërinë për ato çka ndodhën në futboll. 
Rudina Xhunga: Nëpër rrjetet sociale, edhe gazetarë jo pro Ramës e quajtën një 3 me 0 këtë takim të Ramës në Beograd dhe e quajtën Ramën një dron të dytë në Beograd. 
Rexhep Qosja: Rama në fjalën e tij tha shumë gjëra të vërteta që në Serbi nuk dëgjohen me dëshirë. Serbia nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare në mënyrë të veçantë nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare për Kosovën, ata kanë ende iluzione, kanë trashëguar dhe disa paragjykime ndaj shqiptarëve e nuk mund të lirohen lehtë prej tyre. Edi Rama tha shumë të vërteta që i godasin paragjykimet e tyre, që godasin mitologjinë e tyre. Ata e kane shpallur veten një popull qiellor. Popujt qiellor nuk kanë dhunti, nuk kanë talent, nuk kanë shumë mendje për jetën e përditshme, për ato që ndodhin në tokë, prandaj edhe Serbia e përfundoi shekullin e 20 me shumë tragjedi që i shkaktoi vetes por shumë më tepër që u shkaktoi popujve të tjerë në Jugosllavi, në mënyrë shumë të veçantë shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. 
Rudina Xhunga: Përse do shërbejë kjo vizitë, përse është e rëndësishme kjo vizitë, çfarë mund të vije pas saj? 
Rexhep Qosja: Këtë vizitë mund ta shikojmë në kontekstin e takimit në Berlin, është vazhdimi i asaj që u bë në Berlin. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dëshmoi një superioritet politik, në të vërtetë edhe në Berlin, e dëshmoi. Tani edhe më fort në Beograd. Edi Rama, e them me kënaqësi të veçantë u dëshmua jo vetëm kryeministri i Shqipërisë, praktikisht ai u dëshmua si lider i rajonit dhe kjo është me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët.

google_ad_client = “ca-pub-3995474441061688”;
google_ad_slot = “5970863453”;
google_ad_width = 336;
google_ad_height = 280;

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button