LajmeMagazina

A mund të jetë ky flamuri i shqiptarëve të Luginës?

Derisa, pothuajse të gjitha pakicat kombëtare që jetojnë në Serbi, tashmë posedojnë edhe flamur të cilët valojnë lirshëm në institucionet e Serbisë, këtë nuk e kanë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Janë njëzet  Këshilla Kombëtare të Pakicave të themeluara në Serbi, të cilat tashmë pothuajse të gjitha kanë edhe simbolet e tyre, përfshirë edhe flamurin zyrtar që lejohet të përdoret në shtetin ku ata jetojnë.
Në mesin e shumë pakicave kombëtare të cilat kanë zgjidhur problemin e përdorimit zyrtar të flamurit janë edhe Kroatët, Boshnjakët, Maqedonasit, Hungarezët e Sllovakët.
Sikurse që Ligji i Republikës së Serbisë po i ndalon shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet përdorimin zyrtarë të flamurit kombëtar, që njëherit është edhe flamur i Republikës së Shqipërisë, të njëjtën ndalesë kishin edhe pakicat tjera që jetojnë dhe veprojnë brenda këtij shteti.
Gjatë një hulumtimi që ka bërë portali informativ Titulli.com është vërtetuar se këto pakica kombëtare, për të përmbushur kërkesat e popullatës së tyre, kanë bërë ndryshime të vogla në flamur, duke shtuar apo hequr diçka nga simbolet e tyre kombëtare ose shtetërore.
Tashmë flamuri, i cili nuk është identik me atë të shtetit të origjinës, përdoret pa pengesa duke valuar në objekte administratash komunale dhe organe të tjera shtetërore.
Për dallim nga këto kombësi pakicë, shqiptarët që jetojnë në Serbi, kryesisht në Luginë të Preshevës, për më shumë se një dekadë nuk e kanë të zgjidhur këtë “problem”. Çdo vit, me rastin e shënimit të festës kombëtare 28 Nëntorit, vetëm pas disa orëve të valimit të flamurit në institucione, ata për 364 ditë të tjera nuk e shohin flamurin kuq e zi.
Lidhur me ndryshimin e mundshëm të flamurit me shqiponjën dykrenore, në mënyrë që të përdorej i lirë edhe nga shqiptarët që jetojnë brenda kufijve të Serbisë, qytetarët, sa me anonimitet e publikisht, ndajnë mendime të ndryshme.
Duke pranuar se kjo është një pyetje pak komplekse, Magjistri i shkencave juridike ndërkombëtare dhe studiues i organizimit politik të Luginës së Preshevës, Shkodran Ismaili, tha se është i vetëdijshëm se flamuri kombëtar shqiptar nuk ka mbështetje ligjore-legale për përdorim të lirshëm në Republikën e Serbisë.
“Jam i vetëdijshëm edhe për atë se në shumë shtete, përfshirë edhe Serbinë: flamuri shtetëror dhe ai kombëtar dallohen (nuk janë të ndryshëm) e kjo duhet të reflektohet në të ardhmen edhe te shqiptarët?!”, u shpreh Ismaili nga Presheva.
Ai shtroi pyetjen se sa janë kompetent shqiptarët e Luginës së Preshevës ta ndryshojnë flamurin?
Sipas tij për këtë duhet ta marrim mendimin e pjesës tjetër të kombit, dy vendeve, Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, institucioneve autoritare dhe kompetente, politike e akademike.
“Në lidhje me këtë çështje frikohem të të them po, sepse është përgjegjësi e madhe? Madje për këtë nuk morën guxim asnjë rilindësit”, u shpreh juristi.
Megjithatë, Ismaili mendon se i gjithë spektri shoqëror i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, politikanë, ekspert, njohës të proceseve politike, studiues, shoqëria civile dhe qytetar të thjeshtë duhet të diskutojë një një tryezë për këtë çështje, dhe të dalin me një mendim unik.
Për dallim nga juristi, qytetari nga Bujanoci me inicialet A.A. shprehet se nëse do t’a kishim flamurin kombëtar me këto ngjyra që ka tani, vetëm për t’i shtuar diçka që e dallon, por jo që e dëmton,  është i gatshëm të pranojë.
“Për mua do të kishte qenë i pranueshëm një version i flamurit me një ndryshim të vogël. Ne ashtu spo kemi flamurë. Ata nuk ja lejun Kosovës me pas flamurin me ngjyra kombëtare, e çka kemi ne që nuk pranojmë vetëm me një rregullim të vogël”, u shprehë qytetari, duke nënvizuar se “më mirë do të ishte që flamuri të valonte në ndërtesën e komunës sesa të kemi ballkon bosh, siç edhe është tani”.
Republika e Serbisë, edhe pse lejon përdorimin e simboleve kombëtare nga pakicat që jetojnë në këtë shtet, ajo me Ligj ndalon përdorimin e atyre simboleve të shteteve tjera, që në këtë rast simboli kombëtar shqiptarë (Flamuri kuq e zi), i cili është edhe flamur i Republikës së Shqipërisë, nuk lejohet të vendoset në institucione të vendit.
Portali informativ Tiitulli.com ka siguruar disa nga flamujt e zyrtarizuar të Këshillave Kombëtare të Pakicave në Serbi, duke i krahasuar ato me flamujt zyrtar të shteteve përkatëse.
Gjithashtu, në galerinë e këtyre fotove ka prezantuar edhe flamurin kombëtar dhe zyrtar të Republikës së Shqipërisë, duke i shtuar edhe përkrenaren e Skënderbeut, që plotëson kushtet për të qenë i pranuar nga Serbia.
Shqiponja me përkrenaren e Skënderbeut, njëherit njihet si flamur në të cilin është bazuar edhe flamur kombëtar që sot përdorin shqiptarët anekënd botës.

google_ad_client = “ca-pub-3995474441061688”;
google_ad_slot = “5970863453”;
google_ad_width = 336;
google_ad_height = 280;

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button