LajmeMagazina

Një shtëpi në Shqipëri, ndër më uniket në Ballkan

Pas një inspektimi që Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës ka kryer në ambientet e Muzeut Etnografik të Krujës, ka publikuar së fundmi edhe fotot e gjendjes aktuale që gëzon ky objekt.
Gjithashtu kjo drejtori ka publikuar edhe historikun e tij, për të nxitur vizitorët e shumtë të huaj dhe jo vetëm, që ta vizitojnë një prej objekteve unike që është edhe krenaria kulturore që gëzon qarku i Krujës.
Shtëpia e ndërtuar nga Toptanët që në atë kohë kur ishin sundimtarë të Krujës, është një shtëpi e stilit persian, pasi Kapllan Pashë Toptani, sapo ishte kthyer nga fushata e Teheranit, ku turqit dolën ngadhënjyes.
Pra, inxhinierët ishin persë, ndërsa ustallarët që e ndërtuan, dibranë.
Edhe piktori që e ka hijeshuar këtë shtëpi ka qenë Bajram Muca, nga Ostreni i madh, I cili është shprehur se “Eshtë i njëjti stil me Xhaminë e Et`hem beut në Tiranë, d.m.th. stil rokoko”.
Më pas, nga fillimi i viteve `800, kur Toptanasit u shpërngulen në Tiranë dhe u bënë zotërit e Shqipërisë së mesme, shtëpia kaloi në pronësi të një familjeje të dëgjuar nga Kruja me mbiemër Kalaja (Zejnel Efendi Kalaja), pronësi e cila u ruajt deri në vitet e fundit, kur shteti shqiptar bëri shpronësimin e saj, raporton ATSH.
Muzeu, i cili në origjinë ka qenë haremllëku (banesa private) e Kapllan pashës, është shpallur si i tillë për herë të parë në vitin 1959 dhe është restauruar me themel nga Prof.Emin Riza.
Objektet e ekspozuara aty, kanë vlerë pakrahasimisht të vogël historike dhe etnografike në krahasim me vete Muzeun, i cili është unik në trevat Ballkanike.
Ky Muze është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanasve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764.
Banesa është monument kulture i kategorisë së parë, dhe kjo vlerë e Trashëgimisë sonë Kulturore, i fton të gjithë ta vizitojnë dhe ta njohin nga afër.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button