Shqiptari 25 vjeç me pasaportë të Serbisë, i cili ka jetuar 22 vjet në Zvicër, pas një sërë deliktesh, me vendimin e Gjykatës Federale duhet të lëshojë Zvicrën, edhe pse këtu i jeton e gjithë familja
Një shqiptar nga Lugina e Preshevës qe bërë i njohur si “tmerri i rrugëve” për shkak të vozitjes së papërgjegjshme dhe në gjendje të alkoolizuar të makinave. Ai nuk është ndalur sa herë që policët ia kanë qitur “stopin” pastaj ka përdorur një motoçikletë edhe përkundër faktit se ishte nxjerrë nga qarkullimi dhe me të kishte shkaktuar një aksident. Por, këto janë vetëm disa nga deliktet e të riut shqiptar. Shkaku kryesor për dëbimin e tij nga Zvicra lidhet me drogën. Ai është kapur duke shitur disa qindra gramë përzierjeje heroine dhe kokaine. Është një “shitës tipik rrugësh që shet për të financuar konsumimin e drogës” thuhet në vendimin gjyqësor. Për tregti me drogë ai në vitin 2013 qe dënuar me 28 muaj burg, 16 muaj prej të cilave me kusht. Veç kësaj ai me të dhëna të rrejshme kishte nxjerrë një kredi prej 40 mijë frangash. Pornografia, shkelja e ligjit mbi armëmbajtjen, falsifikimi i dokumenteve dhe vjedhja e organizuar, janë deliktet tjera që e ngarkojnë atë. Gjykata Federale duke marrë këtë vendim ka mbështetur vendimin e mëhershëm të Gjykatës Administrative të Soloturnit. Ndonëse është i integruar në shoqëri, i riu i ardhur në vitin 1993 në Zvicër asnjëherë nuk kishte arritur te integrohej ekonomikisht. Ka “bojkotuar” shkollën pa arsye ndërsa qysh në moshën 13 vjeçare kishte rënë në kundërshtim me ligjin. Nuk ka mbaruar asnjë profesion dhe vazhdimisht ka qenë i papunë. I janë grumbulluar borxhet deri në 60 mijë franga dhe herë pas here ka marrë edhe ndihma sociale. Leja e përhershme e qëndrimit (viza C) një të huaji që jeton kaq gjatë në Zvicër mund të hiqet vetëm në kushte të veçanta, ka theksuar Gjykata, shkruan, albinfo.ch. Por dënimi me 28 muaj burg dhe recidivizmi bashkë me prognozën e keqe për sjelljet e tij në të ardhmen ishin arsye të mjaftueshme për dëbim. Gjykatësit në vendimin e tyre e kanë parasysh faktin se e gjithë familja e të riut shqiptar jeton në Zvicër dhe se ai nuk ka kontakte në vendlindje. Por “edhe pse ankuesi nuk ka më familjarë në Serbi, duhet theksuar se në gjithë botën ka të rinj në moshën e tij që shkojnë të jetojnë në vende plotësisht të panjohura për ta, ku dhe integrohen. Dhe fundja, i dëbuari e flet shqipen”, që sipas tyre është një rrethanë lehtësuese./BujanociNet/