Deputetët Shqiptarë në Parlamentin qendrorë në kuadër të grupit parlamentarë SDA – PVD pas paraqitjes së Propozim Rezolutës për zgjidhjen e statusit të pakicave nacionale në Republikën e Serbisë iu bashkangjitën grupeve tjera parlamentare opozitare për inicimin e procedurave për shkarkimin e kryetarit të Republikës së Serbisë Tomisllav Nikolliq.
Kjo iniciativë është ndërmarrë për shkak të deklaratave të tij publike me të cilat ishte ushtruar presion mbi prokurorinë speciale e cila kishte paralajmëruar aktakuzën për procesuimin e krimeve të luftës të kryera në Kosovë nga njësi të caktuara të ushtrisë serbe të paraqitura në raportin e Fondit Humanitar nga Beogradi.
Në arsyetimin e kësaj rezolute deputetët nga Sanxhaku dhe Lugina e Preshevës i shtuan edhe momentet specifike për krimet e kryera në këto rajone ndaj Boshnjakëve dhe Shqiptarëve të cilat ende nuk janë zbardhur dhe kriminelët ende nuk kanë marrë denimet përkatëse.
Në kumtesën e Partisë për Veprim Demokratik që e transmeton portali Titulli.com, gjithashtu theksohet se deputetët Sulejman Uglanin, anëtarë dhe Shaip Kamberi, zëvendës anëtarë të Këshillit për të drejtat e pakicave dhe të drejtat e njeriut, në bazë të vendimit të grupit parlamentarë SDA – PVD janë tërhequr nga ky Këshill për shkak të pakënaqësisë nga rezultatet e dobëta të deritanishme dhe për shkak të mungesës së gatishmërisë për përpilimin e strategjisë me të cilën do të rregullohej statusi adekuat i pakicave nacionale.
“Në kuadër të diskutimit lidhur me miratimin e marrëveshjes për hapjen e kalimeve të reja kufitare me Rumaninë, deputeti Halimi përkujtoi ministrin e punëve të brendshme Stefanoviq me obligimin që e ka qeveria serbe për hapjen e kalimeve kufitare me Maqedoninë në bazë të vendimit të qeverisë federative të vitit 2005. Posaçërisht me këtë rast u elaborua domosdoshmëria që sa më shpejtë të hapet kalimi kufitarë në relacionin Miratoc – Llojan që do të përmirësonte dukshëm qarkullimin e lirë të qytetarëve në Luginë të Preshevës”, thuhet në kumtesë.