Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, Visar Ymeri, Ismajl Kurteshi, Hydajet Hyseni dhe Belgzim Kamberi, pritën të hënën në takim deputetët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, Riza Halimin dhe Shaip Kamberin.
Në njoftimin lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje thuhet se në këtë takim është diskutuar për pozitën e rëndë politike dhe socio-ekonomike të shqiptarëve në Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe rolin të cilin duhet ta kenë Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në përmirësimin e pozitës dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje.
Halimi dhe Kamberi kanë njoftuan përfaqësuesit e Lëvizjet për problemet e vazhdueshme me të cilat ballafaqohen shqiptarët atje që prej diplomave të fakulteteve të cilat nuk u pranohen nga Serbia e deri te mungesa absolute e përfaqësimit proporcional në gjyqësi dhe polici.
“Presheva si komunë me shumicë dërmuese të popullsisë shqiptare nuk ka fare gjykatë themelore, edhe pse një të tillë e ka pasur më herët, ndërkohë që prokuroria për tërë rajonin gjendet në Vranjë. Në kuadër të Gjykatës ka12 gjykatës prej të cilëve vetëm tre janë shqiptarë, ndërsa 9 janë serb. Dy vendet e lira, sistematizim të përcaktuara për gjykatës shqiptarë, për gati dy vite, nuk janë plotësuar”, u tha në takim.
Palët kanë vlerësuar se kjo është në shpërputhje të plotë me koncesionet të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës po i bën në këtë fushë, sikur në fushat tjera, ndaj Serbisë.
“Asnjëherë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka ngritur në Bruksel shtypjen dhe diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Lëvizja VETËVENDOSJE! mëtej nënvizon se do të mbetet e përkushtuar që t’i ndihmojë përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në kërkesat e tyre politike, si dhe të kërkojë përgjegjësi nga Qeveria e Republikës së Kosovës për angazhimin e tyre institucional në të mirë të shqiptarëve atje. /Titulli.com/