LajmeMagazina

Kurthi me kreditë në franga zvicerane

Për vite të tëra bankat u rekomandonin huamarrësve që të mos i merrnin kreditë e tyre në euro, por në franga zvicerane. Por rritja e kursit të frangës po u krijon probleme huamarrësve në Evropën Qendrore dhe Lindore. Marko Vasić bleu në vitin 2008 një banesë në Beograd dhe për këtë mori një kredi të bazuar në vlerën e frangës zvicerane. Kësti mujor i shlyerjes së kredisë ishte 350 euro, shumë kjo që elektriçisti mund ta përballonte.
Por tani pas rritjes së vlerës së frangës dhe shkëputjes së vlerës së saj prej vlerës së euros atij i duhet të paguajë 560 euro në muaj. Të njëjtin problem kanë edhe qindramijëra qytetarë në Evropën Qendrore dhe Lindore që kanë marrë në vendet e tyre kredi hipotekare të bazuara në vlerën e frangës. Në Poloni ka rreth 550.000 kredi hipotekare të lidhura me monedhën zvicerane, në Rumani rreth 150.000, në Kroaci 60.000 dhe Serbi 22.000. Për vite të tëra bankat u rekomandonin huamarrësve që të mos i merrnin kreditë e tyre në euro, por në franga zvicerane, sepse me këtë monedhë normat interesit ishin edhe në periudhë afatgjatë më të favorshme.
Por bankat kanë ndjekur në këtë mes interesin e tyre, kritikon ekonomisti serb Dejan Gavriloviç. Është naive të mendosh se mund të marrësh norma të ulëta interesi pa rreziqe që mund të lidhen me monedhën në të cilën merret kredia.” Prandaj, është problematike nëse politika i detyron me dekret bankat të marrin përsipër humbjet”. Politikanët në vendet e prekura i shohin gjërat ndryshe, sepse në rast se do t’i lënë në baltë mijëra familje që nuk mund të paguajnë sot kreditë për shtëpi, do të kenë vështirësi politike për t’u rizgjedhur përsëri. Edhe kryeministri socialdemokrat kroat Zoran Milanoviç dëshiron të të rizgjidhet vitin e ardhshëm, dhe prandaj qeveria e Zagrebit do t’i detyrojë bankat që të marrin mbi vete pasojat e ngritjes së kursit të frangës zvicerane.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button