Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të martën, “do të kthehen 80 qytetarë të Republikës së Kosovës nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës”.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, MPB njofton se këta persona që do të kthehen nuk do të përfitojnë nga Programi i Riintegrimit, duke qenë se nga ky program përfitojnë personat e riatdhesuar të cilët e kanë lëshuar Republikën e Kosovës para datës 28 korrik 2010.
Megjithatë, në MPB, pohojnë “janë disa skema të natyrës urgjente që mund t’i përfitojnë të gjithë të riatdhesuarit: pritja dhe informimi në momentin e arritjes, ndihma mjekësore në momentin e arritjes në rast nevoje, transporti nga Pikat e Kalimit Kufitar deri në komunën e origjinës nëse nuk kanë mundësi të tjera të transportit, aftësim profesional dhe ndërmjetësimi në punësim”.
Që nga dhjetori i vitit të kaluar, numri i qytetarëve të Kosovës që kanë marrë rrugën e migrimit të paligjshëm për në vendet e Bashkimit Evropian është shtuar dukshëm.
Autoritetet në Prishtinë deklarojnë se nuk kanë të dhëna të sakta për numrin, por flitet për mijëra të tillë që ia kanë mësyrë kryesisht Gjermanisë dhe Austrisë.