Kryeministri, Isa Mustafa, ka emëruar ministra “supermenë” në kabinetin e tij qeveritar. Shumica e ministrave të tij, përpos obligimeve të shumta qeveritare gjejnë kohë të angazhohen njëkohësisht edhe në disa institucione publike e private të arsimit të lartë në vend, nga të cilat krijojnë mijëra euro të ardhura mujore
Gazeta “Zëri” mëson se disa ministra, madje, nuk kanë deklaruar në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit se punojnë në universitete publike e private, pasi që sipas ligjit nuk kanë të drejtë t’i kenë më shumë se dy kontrata pune (një pagë të plotë e tjera si gjysmë page).
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, rezulton se ka katër kontrata pune, nga të cilat realizon të hyra vjetore prej hiç më pak se 41.200 euro në vit.
Po aq kontrata sa Bajrami ka edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili ka të hyra vjetore prej mbi 28 mijë eurosh, ndërsa ministri i Financave, Avdullah Hoti, realizon të hyra prej 35 mijë eurosh në vit nga tri vende të ndryshme pune.
Edhe ministri i Forcës së Sigurisë, Haki Demolli, nga tri vende të ndryshme pune realizon të hyra vjetore prej mbi 37 mijë euro.