“Në pamundësi që ta shihja atdheun, unë e pikturoja, e sillja para syve, kështu e shuaja mallin tim”, shprehet për albinfo.ch Gazmend Freitag, duke i kujtuar ato ditët e para në kurbet, kur vendlindjen e sillte në copëza letre, e njerëzit në potrete, sepse asnjë largësi dashurinë ndaj tyre nuk e zbehte.
Kjo atdhedashuri, e shprehur me zemër e me talent, u ra në sy njerëzve përreth dhe, falë vlerësimit të tyre dhe artit të tij magjepës. Gazmendi sot radhitet në mesin e artistëve të spikatur të pikturës, si një artist me shije të hollë, veprimtaria e të cilit shquhet me pozitivitet.
Si pikturat e artit klasik, ashtu dhe ato më modernet, janë prezente dhe të fuqishme në veprat e këtij artisti shqiptar, i cili në angazhimet e tij me renome botërore na ka bërë disa herë të ndjehemi shumë krenarë.
Në atelien e tij, në Linc, e cila i ngjan një tempulli të bukur, është fiksuar bota e shenjtë e artistit tonë.
Kur e pyeta për motivin, tha se “motivi im nis nga e djeshmja…unë rrugëtoj me brushë, është dashuria që më pajis me energji…dhe fokusohem në mirësi… dëshiroj që me pikturën time t’i jap krah së mirës”.
Se artisti është vërtet ambasadori më i mirë i një vendi, këtë e dëshmoi disa herë edhe artisti në Austri, Gazmend Feritag.
Ekspozita e tij “Përshtypjet shqiptare” që u mbajt vitin e kaluar ka lënë mbresa të mëdha te vizitorët dhe artistët e huaj. U vlerësua lart kjo ekspozitë, ku u panë motive, mite e vlera të shquara të kulturës shqiptare.
“Piktura është ajo që e shuan etjen dhe mallin tim. Prandaj të jetoj pa pikturën nuk mundem, kam shumë etje për të shprehur këtë lloj arti, i cili për motiv ka vetëm dashurinë. Është një dashuri aq hyjnore, saqë as vetë me fjalë nuk mundem ta shpjegoj, por me ngjyra po”, thotë Gazmendi, pa u larguar nga portreti të cilin po e bënte me një dhunti marramendëse, ku me vija të skicuara po dilte në pah dalëngadalë aq origjinal, saqë e dëshmonte stilin e tij të lartë e të veçantë.
Është krijues i shumë ekspozitave kolektive e personale nëpër botë, i vlerësuar dhe i shpërblyer për stilin e tij të bukur. I pyetur për mesazhin ndaj të rinjve, ai për albinfo.ch thotë:
“Të kesh një ëndërr është e bukur, ta ndjekësh ëndrrën me përkushtim është talent, të ndihmosh të tjerët me ëndrrën tënde, kjo ështe suksesi, në art, e në çfarëdo profesioni që e bëjmë me bekim, sepse njeriu jeton për një faleminderim”.