LajmeMagazina

Banorët e zonës kufitare të Kosovës në hall me pronat në Serbi

Banorët e zonës kufitare të Manjecit në Komunën e Kamenicës ankohen se xhandarmëria serbe nuk është duke i lejuar që të punojnë tokat e tyre bujqësore përgjatë kufirit administrativë Kosovë-Serbi.
Këta banorë kanë prona në të dyja anët e kufirit, të cilat kryesisht janë toka bujqësore të mbjella me grurë, shkruan sot Koha Ditore.
Hisen Sopi, nga fshati Hodonoc,ka thënë se xhandarmëria serbe e kishte arrestuar atë së bashku me bashkëshorten gjatë një vizite, që i kishin bërë pronës së tij, e cila gjendet në brendësi të territorit serb.
Ata më pas ishin dërguar në Komunën e Bujanocit ku nga gjykata serbe ishin dënuar me gjobë për kalim ilegal të kufirit.
Ai supozon se shtrëngimi i kufirit nga autoritetet serbe ka ndodhur për shkak të fluksit të ikjeve të qytetarëve kosovarë nga vendi. Sipas tij, në të kaluarën nuk kanë hasur probleme të tilla dhe se presin që këtë çështje ta zgjidh KFOR-i.
Me po të njëjtin problem përballet edhe Baki Abdullahu nga po i njëjti fshat. Ai ka të mbjellë tokën me grurë. Thotë se xhandarmëria serbe herë pas here është duke hyrë edhe në brendësi të territorit të Kosovës, ku është duke i penguar ata në kryerjen e punëve të përditshme.
E, Begzad Sinani, kryetar i Komunës së Kamenicës, u ka premtuar banorëve se pas takimit që kanë zhvilluar me zyrtarë të KFOR-it, kjo situatë do të kapërcehet. /Titulli.com/

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button