Ankesa të shumta për dhunë ndaj fëmijëve janë paraqitur në zyrën e drejtoreshës së Institucionit Parafillor ‘Yllkat’ në kryeqytet.
Megjithatë, asnjë nga prindërit nuk pranojnë të flasin rreth kësaj çështjeje me frikën e hakmarrjes nga edukatoret.
Drejtoresha e këtij kopshti, përveç dyshimeve, thotë se asnjë nga ankesat nuk mund të vërtetohen.
Sipas saj, e vetmja zgjidhje për dyshimet e ngritura është monitorimi me kamera nëpër kopshtet publike.
Por, dy edukatoret përgjegjëse tek grupi i fëmijëve ku janë ngritur këto dyshime mohojnë këto akuza.
Madje Luljeta Haxhi Jakupi akuzon drejtoreshën për sjellje të dhunës së ashpër verbale ndaj saj në prezencë të fëmijëve.
Edukatorja tjetër, Zojë Kajtazi, sqaron se i gjithë konflikti kishte nisur me largimin e disa inventarëve të dhomës për të cilin dy edukatoret kishin kundërshtar.
E njoftuar me rastin Komuna e Prishtinës tashmë ka ngritur një komision i cili do të merret me këtë çështje.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci u bën thirrje të gjithë prindërve që kanë dyshime lidhur me mos kujdesin e duhur apo dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve të tyre t`i denoncojnë sa më parë. Komuna sqaron se deri më tani nuk ka pasur kërkesë nga prindërit për vendosjen e kamerave nëpër kopshtet publike.