Aksioni humanitar i zhvilluar në Luginë të Preshevës për të ndihmuar shërimin e profesorit 28 vjeçar Ramil Aliu nga Bujanoci, ka rezultuar i suksesshëm.
Edhe njëherë shqiptarët e Luginës u dëshmuan solidarizues ndaj rasteve që në thelb kanë ndihmën kundrejt tjerëve në nevojë.
Për më pak se dy javë nga nisma për të ndihmuar Ramilin është arrit që të grumbullohen mjetet e nevojshme, ndërsa të dielën pacienti është nisur për shërim në Turqi.
“Aksioni ishte shumë i suksesshëm, të hollat janë tubuar. Ne si Këshill nismëtar për punën e bërë jemi shumë të kënaqur. Të gjithë ata që kanë kontribuuar i falënderojmë”, tha për portalin informativ Titulli.com, kryetari i këtij Këshilli pran shkollës fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc, Vesel Sejdiu.
Ramil Aliu tani gjendet në spitalin e Edrenes në Turqi ku do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjike në veshin e dytë. Më parë, pacienti, në të njëjtin spital kishte kryer operim në njërin vesh, që kishte rezultuar i suksesshëm.
Mirëpo, rreth dy muaj më vonë sëmundja ishte paraqitur edhe në veshin e dytë, me ç’rast për këtë ndërhyrje nevojiteshin edhe 10 mijë euro të tjera, të cilat tashmë janë siguruar nga aksioni i zhvilluar në komunat Bujanoc dhe Preshevë.
Me këtë rast Këshilli nismëtar, përmes portalit informativ Titulli.com, falënderon të gjithë ata qytetarë që ndanë mjete nga buxheti i tyre dhe ndihmuan në grumbullimin e parave të nevojshme për këtë ndërhyrje.
“Një mirënjohje për kontributin kanë edhe mediat, si portalet informative, televizionet…”, u shpreh Veseli.
Nismës për të ndihmuar Ramilin iu përgjigjën qytetarët nga këto komuna si dhe diaspora, shkollat fillore dhe të mesme të Luginës, xhamitë, ndërsa u zhvilluan edhe organizime të ndryshme për grumbullimin e mjeteve, si shitja e ëmbëlsirave dhe mbajtja e një koncerti në Bujanoc. /Titulli.com/