Një delegacion i Këshillit të Bashkësisë Islame të Preshevë, Fikret Limani ka qëndruar në Medvegjë dhe është takuar me zëvendëskryetarin e komunës Florim Sahiti dhe kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame (BIPBM) në Medvegjë, Lulzim Sahiti.
“Qëllimi i vizitës së sotme ishte që të njoftohemi me situatën në Medvegjë në çdo kontekst, politik, ekonomik, fetar. Besoj se kemi marrë mjaft informacione për Medvegjën. Do të përpiqemi që me donatorë të depërtojmë në Medvegjë, nuk janë të rëndësishme vulat por me rëndësi është që të ndihmohet Medvegja”, tha Limani.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Medvegjë, Lulzim Sahiti njoftoi delegacionin se viteve të fundit me ndihmën e Kuvendit Komunal janë bërë investime serioze në objektet fetare myslimane në Medvegjë. Ai theksoi se në këtë komunë funksionon vetëm Këshilli pranë Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe se nuk ka tendeca që të bëhet ndonjë ndryshim në këtë drejtim pasiqë kjo e fundit është e vetmja që ka qenë e gatshme të ndihmojë Medvegjën në kohërat më të vështira. Sahiti më tej shtoi se e çmon shumë ndihmën e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe se ajo është e mirëseardhur për bashkëpunim.
Në anën tjetër, zëvendëskryetari i komunës Florim Sahiti njoftoi delegacionin se Kuvendi komunal i Medvegjës viteve të fundit ka investuar rreth 100.000 euro për meremetimin e xhamive në Kapit, Sjarinë, për rinovimin e teqes në Medvegjë, rregullimin e varrezave myslimane etj. Mbi të gjitha, Sahiti theksoi se Kuvendit komunal i është dorëzuar kërkesa që të sigurohet toka për varrezat e myslimanëve në Medvegjë si dhe për ndërtimin e një xhamie në qytet. Për këtë qëllim janë paraparë të sigurohen rreth 35.000 euro. “Tendenca është që të kthehet popullata por për 524 kilometra katëror sa ka Medvegja, është pak që të ketë vetëm dy xhamia”, tha Sahiti.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Medvegjë, Lulzim Sahiti bëri të ditur se këtë vit do të bëhet blerja e tokës për varrezat myslimane. “Me rëndësi është që të sigurohet investitori për ndërtimin e xhamisë ndërsa sa i përket tokës, besoj se ka shqiptarë të cilët janë të gatshëm që ta dhurojnë atë edhe falas. Sa i përket lokacionit, më së miri është që xhamia e re të ndërtohet në pjesën e banuar me popullatë shqiptare”, tha ai. Sipas tij shqetësim mbetet marrja e një pjese të tokës nga ana e shtetit në vendin ku ndodhet teqja në qendër të Medvegjës, e cila është pronë e xhamisë. “Deri në vitin 2000 teqja ka pasur afër 7 ari tokë, ndërsa pas vitit 2000 parcela është zvogëluar për 2 ari, të cilët i janë dhënë një serbi me proces gjyqësor”, përfundoi ai.
Në takim ishte prezent edhe imami i xhamisë të Banjës së Sjarinës Ilham Hasani i cill konfirmoi se të gjitha investimet që janë bërë viteve të fundit në objektet fetare janë siguruar nga Kuvendi komunal i Medvegjës.