Volkswagen Passat është përzgjedhur si vetura më e mirë e vitit 2015 nga juria ndërkombëtare e gazetarëve evropianë.
Juria e përbërë nga 58 gazetarë të automobilizmit nga 22 shtete evropiane, përzgjedh çdo vit veturën më të mirë. Ky çmim ndahet që nga viti 1964.
Juria identifikon kandidatët dhe listën e finalistëve e publikojnë në dhjetor, kurse ‘Veturën e vitit’ e shpallin në Panairin e Gjenevës që mbahet këtë muaj, njofton koha.
Lista e ngushtë prej shtatë veturave konkurruese ishte e përbërë nga: Volkswagen Passat, modeli i Serisë 2 të BMW-së Active Tourer, Citroen C4 Cactus, Ford Mondeo, Mercedes-Benz C-Class, Nissan Qashqai dhe Renault Twingo.
Passati fitoi bindshëm në këtë garë duke grumbulluar 340 pikë, shumë më shumë se pozita e dytë, në të cilën doli Citroen C4 Cactus. Vetura franceze grumbulloi 248 pikë.
Në pozitën e tretë ishte Mercedes-Benz C-Class me 221, ndërsa Ford Mondeo dhe Nissan Qashqai përmbyllën top-pesëshen.
Fituesi i vitit të kaluar ishte modeli Peugeot 308.