LajmeMagazina

Shqiptarët e Luginës, komuniteti më i diskriminuar në Evropë

Për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Qeveria e Kosovës bisedimet e mëtutjeshme me Serbinë duhet t’i kushtëzojë me parimin e reciprocitetit. Në të kundërtën ikja e shqiptarëve nga Lugina është e paevitueshme.
Komisioni Parlamentar i Arsimit i Kuvendit të Kosovës, më 9 dhe 10 mars 2015, vizitoi komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Gjatë qëndrimit dyditor delegacioni nga Kuvendi i Kosovës në takimet me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, kryetarët e Komunave të Preshevës dhe Bujanocit, deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, nënkryetarin e Komunës së Medvegjës, drejtorët dhe arsimtarët e tri shkollave të mesme dhe tri shkollave fillore si dhe udhëheqësit e OJQ-ve që veprojnë në Komunat e Preshevës dhe Bujanocit, u informua gjerësisht me problemet që po ballafaqohet popullata shqiptare në Luginën e Preshevës.
Në 1.100 kilometra katrorë të tri komunave të Luginës së Preshevës aktualisht jetojnë rreth 80.000 banorë, rreth 70% e tyre janë shqiptarë. 90% e banorëve të Komunës së Preshevës, në të cilën jetojnë rreth 35.000 banorë, janë shqiptarë. Komuna e Bujanocit i ka 43.000 banorë, 55% e tyre janë shqiptarë. Kurse në Komunën e Medvegjës jetojnë 10.700 banorë. Në këtë komunë, që deri në vitin 1999 ishte me shumicë shqiptare, tani jetojnë vetëm rreth 2.700 banorë shqiptarë ose 26% e numrit të përgjithshëm. Në institucionet shtetërore në Luginë punojnë rreth 1600 zyrtarë, prej tyre vetëm 387 janë shqiptarë ose 24%.

(adsbygoogle = window.adsbygoogle || []).push({});

(adsbygoogle = window.adsbygoogle || []).push({});

Problemet në Arsim

Mungesa e teksteve shkollore dhe moslejimi i përdorimit të teksteve nga Kosova, paraqesin problem serioz për nxënësit e të gjitha niveleve në Luginë. 5000 tekste shkollore në gjuhën shqipe, të dërguara nga Kosova, që mbahen të konfiskuara nga policia e Serbisë tani e disa vite dhe moslejimi as i Abetares, paraqesin formën më të vrazhdë të diskriminimit kombëtar, në një vend evropian që po e synon integrimin në BE. Ato pakë libra të përkthyera në gjuhën shqipe që janë në përdorim atje janë botime të vjetra, shumë prej tyre janë të viteve 70- ta. Serbia jo vetëm se nuk e lejon përdorimin e teksteve shqip nga Kosova, por as nuk pranon të bisedon për mundësinë e shfrytëzimit të teksteve nga Kosova në Luginën e Preshevës. Mungesa e kuadrit të kualifikuar për shkak të mosnjohjes së diplomave të universiteteve të Kosovës, pasi që Gjykata Kushtetuese e Serbisë marrëveshjen e arritur në Bruksel në lidhje me nostrifikimin e ka shpallur jo kushtetues, është po ashtu problem i madh për shqiptarët e Luginës. Serbia nuk i njeh as diplomat e shkollave të mesme dhe as dëftesat e shkollës fillore nga Kosova. Mësimi i historisë kombëtare në Luginë është reduktuar në maksimum. Kufizimi i regjistrimit të studentëve përmes kuotës në Kosovë dhe Shqipëri, sidomos për fushat në të cilat mungojnë kuadrot në Luginë, shkakton mungesë të kuadrove profesionale në Luginë. Në këto rrethana Lugina ka nevojë për një universitet të vetin, e sidomos për një fakultet të edukimit.

Problemet në shëndetësi

Në Luginë nuk ka spital. Ata që kanë nevojë të shtrihen në spital duhet të shkojnë në Vranjë, në Nish ose në Beograd, në të kundërtën duhet të kërkojnë shërim jashtë vendit. Serbia nuk e lejon hapjen e maternitetit i cili tanimë është i ndërtuar në Preshevë dhe vetëm e pret lejen nga shteti për fillimin e punës. Në anën tjetër, Serbia nuk e lejon regjistrimin e foshnjave që lindin në Kosovë edhe kur dy prindërit janë banorë të Luginës. Gratë atje shpesh janë të detyruara të lindin në shtëpitë e tyre pa përkujdesje mjekësore.

Problemet administrative

Banorët që për një kohë dalin jashtë vendit për të punuar, edhe pse familjen dhe pasurinë e kanë në vendlindje, shlyhen nga evidenca e shtetësisë së Serbisë dhe kështu atyre ju merren të gjitha të drejtat, duke përfshirë këtu edhe të drejtën e votës. Në disa agjenci shtetërore shqiptarët nuk kanë fare qasje, si për shembull në kadastrën e Bujanocit, nuk punon asnjë shqiptar. Kurse në policinë e kësaj komune, 70% e të punësuarve janë serb. Në Gjykatën Themelore në Bujanoc janë vetëm 3 gjykatës shqiptarë. Kurse gjykatë të shkallës së dytë nuk ka në Luginë, e as gjykatës shqiptar. Barazia në përdorimin e gjuhëve është vetëm në letër. Në Radiotelevizionin Publik të Serbisë nuk ka as një minutë program në gjuhën shqipe.

Problemet në ekonomi

Investim i vetëm i Serbisë në Luginën e Preshevës është ndërtimi i bazave ushtarake dhe të xhandarmerisë, që ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi shqiptarët atje. Investime në fushën e zhvillimit ekonomik në Luginë nuk ka. Prodhimet bujqësore apo ato të ndonjë kompanie private nuk kanë treg. Ato nuk mund të sillen në Kosovë, për shkak të pengesave administrative kurse në Serbi bojkotohen. Në këto kushte papunësia është shumë e madhe gjë që po shkakton migrimin drejt Kosovës dhe shteteve Perëndimore. Vetëm gjatë katër viteve të fundit, numri i nxënësve në Preshevë ka rënë për 1300. Nga Medvegja pas vitit 1999 janë shpërngulur 5500 shqiptarë apo mbi dy të tretat e tyre. Në shkollën e Tupallës që dikur mësimet i vijonin 320 nxënës shqiptarë, tani kanë mbetur vetëm 15 nxënës. Në fshatrat e malësisë së Bujanocit, ku dikur jetonin mbi 10.000 banorë tani kanë mbetur vetëm 16 familje.

Ata kanë nevojë për ndihmë institucionale të dy shteteve shqiptare
Shqipëria dhe Kosova duhet t’i njoftojnë institucionet ndërkombëtare për diskriminimin institucional të Serbisë mbi shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe të kërkojë ndërhyrjen e tyre.
1)      Shqipëria dhe Kosova duhet t’ua sigurojnë nxënësve në Luginën e Preshevës tekstet shkollore falas dhe ta detyrojnë Serbinë që ta lejojnë përdorimin e tyre;
2)      Dy shtetet shqiptare duhet t’i bëjnë presion Serbisë që t’i nostrifikojë diplomat e universiteteve publike të Shqipërisë dhe Kosovës;
3)      Studentët e Luginës, në dy shtetet shqiptare, duhet të trajtohen si studentët e Shqipërisë, gjegjësisht të Kosovës, në çdo aspekt;
4)      Dy shtetet shqiptare duhet ta përkrahin themelimin e një universiteti publik në Luginën e Preshevës;
5)      Dy shtetet shqiptare duhet ta ndihmojnë hapjen e maternitetit në Preshevë;
6)      Dy shtetet shqiptare duhet t’i përkrahin projektet ekonomike që do të hapnin vende të reja pune dhe krijonin kushte për të jetuar në Luginë;
7)      Kosova duhet t’ i heq të gjitha pengesat administrative që pengojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe prodhimeve të tyre;
8)      Dy shtetet shqiptare duhet të hapin zyre ndërlidhëse për Luginën e Preshevës dhe të vejnë kontakte të rregullta institucionale;
9)      Tri komunat e Luginës së Preshevës duhet ta themelojnë asociacionin e komunave;
10)  Dy shtetet shqiptare duhet menjëherë ta iniciojnë dhe fillojnë procesin e riatdhesimit të shqiptarëve të dëbuar masovikisht nga Lugina e Preshevës në vitin 2001. Paraprakisht këtyre qytetarëve duhet t’ju ndërtohen shtëpitë dhe infrastruktura e nevojshme në vendlindjet e tyre në Luginë;
11)  Për zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve që shqiptarëve të Luginës së Preshevës ua bëjnë të pamundur jetën në vendin e tyre, Qeveria e Kosovës, bisedimet e mëtutjeshme me Serbinë duhet t’i kushtëzoj me parimin e reciprocitetit (që do të thotë se të gjitha të drejtat që i gëzon minoriteti serb në Kosovë duhet t’ju njihen edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës);
Në të kundërtën, ikja e shqiptarëve nga Lugina është e paevitueshme, e përgjegjësia do të bie mbi dy shtetet shqiptare dhe bashkësinë ndërkombëtare që po heshtë para kësaj politike raciste të Serbisë mbi shqiptarët autoktonë të Luginës së Preshevës. Derisa Qeveria e Kosovës po negocion me Beogradin sikur fare të mos ekzistonte Lugina e Preshevës. Nga kjo që u tha më lart del se Serbia është kampione e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare në Evropë. Ky problem serioz i shqiptarëve dhe i Evropës nuk zgjidhet duke e heshtur. Ky problem kërkon zgjidhje të drejtë gjersa nuk është bërë vonë.
Shkruan: Ismajl Kurteshi

(Autori është deputet i Kuvendit të Kosovës)

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button