LajmeMagazina

Majko: Rugova është tradhtar po aq sa Klosi ka qenë luftëtar i UÇK-së

Deputeti socialist, Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë në kohën e luftës së Kosovës, ka reaguar sot mbi pastërtinë e kauzës për liri të Kosovës dhe mbi heronjtë e vërtetë që u flijuan për Kosovën.
Përmes një statusi në Facebook, Majko i ka dalë në mbrojtje edhe ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, pas deklaratës së ish-shefit të SHISH-it, Fatos Klosi, që tha se Rugova ka qenë tradhtar.
“Lexova në media që ‘veterani’ i Luftës së Kosovës, Fatos Klosi ka fyer jo vetëm Presidentin e nderuar Rugova; që Ibrahim Rugova të ketë qenë ‘tradhtar’ i Kosovës, kjo është po aq e vërtetë sa Klosi të ketë luftuar me armë në dorë”, tha Majko.
Ish-kryeministri i Shqipërisë tha se Kosova dhe publiku shqiptar duhet të përgatiten për Gjykatën Speciale Ndërkombëtare sepse, sipas tij, ajo do të gjykojë protagonistët e Luftës së shqiptarëve.
“Kjo është padyshim një ngjarje e rëndë. Të gjithë duhet të jemi në krah të UÇK-së, drejtuesve të saj dhe pastërtisë së kauzës së lirisë së Kosovës për të cilën u flijuan heronjtë e vërtetë të Kosovës. Sa më i përçarë që të jetë faktori shqiptar aq më e rëndë do të jetë goditja”, theksoi Majko.
Kjo dhe të tjera, tha ai, “janë arsyeja që mendoj se debatet shterp me “heronj” dhe “tradhtarë” për Luftën e Kosovës janë në kohën dhe vendin më të keq për momentin që po kalon Kosova dhe shqiptarët në rajon. Shpresoj të jetë rastësi”.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button