Paraqitja e valltarëve të Shoqërisë Kulturo-Artistike «Medvegja» ka qenë ajo që e ka kurorëzuar mbrëmjen e UNIA-s. Nën udhëheqjen artistike të Musa Nezirit dhe zëvendëses së tij Valbona Neziri – me dhjetëra valltarë të të gjitha moshave, të drejtuara nga shkëlqimi i më të rejave anëtare 4-vjeçare Yllka Thaçi dhe Lona Hisenit, ata kanë shpalosur bukurinë e valles shqiptare të të gjitha trojeve, me kostumet e larmishme dhe me lëvizjet, herë elegante, e herë të fuqishme e të rrëmbyera.Impresionuese ishte para së gjithash paraqitja e grupit të fëmijëve – ardhmërisë së Shoqërisë Kulturo-Artistike «Medvegja», të cilët e dhanë më të mirën për anëtarët e devotshëm të UNIA-s.Kostumet, ngjyrat, ekspresiviteti, plastika e zhdërvjelltë, janë elemente, falë të cilave emocioni i grupit të shoqërisë merr rol të veçantë, duke e madhështuar mbrëmjen, të cilën do ta mbajnë mend gjatë të pranishmit. Them se emocioni është ajo që duhet veçuar në vallet shqiptare dhe shoqëria edhe kësaj radhe ia doli, thotë udhëheqësi i saj artistik, Musë Neziri.I pari në skenë u ftua kryetari i SHH «Medvegja», Zenel Neziri, i cili befasisht iu drejtua të pranishmëve me një përshëndetje në gjuhën shqipe, duke nxitur duartrokitje frenetike, për të shtuar: «Jemi krenarë për brezin e ri, meqë në të gjitha aspektet po dëshmon që integrim nuk domethënë asimilim, përkundrazi e ka vetëm një domethënie – ruajtjen e identitetit tonë, ngase pa identitet nuk ka as dinjitet, e as diversitet.
