Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me vazhdimin e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
VV thekson se së fundi kanë mësuar për padinë e ngritur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, e cila kërkon të akuzojë shqiptarët vetëm për shkak se në qytetet e fshatrat ku ata jetojnë, përdorin si simbol dekorues dhe identifikues flamurin kombëtar shqiptar me rastin e festës kombëtare.
“Përdorimi i flamurit kombëtar është një e drejtë të cilën shqiptarët nuk e kanë braktisur kurrë, as në momente më të vështira të historisë së tyre në shekullin XX. Këtë të drejtë shqiptarët nuk do të lejojnë që ta shtypë as Serbia e shekullit XXI. Nisja e procedurave ligjore ndaj Ilirian Jusufit, vetëm për shkak se ky e ka stolisur biznesin e vet me flamurin kombëtar në 28 nëntor, nuk është gjë tjetër veçse shprehje e lirisë të konfirmuar në konventat ndërkombëtare nënshkruese e të cilave është edhe Republika e Serbisë”, thuhet në komunikatën e VV-së.
Sipas lëvizjes Vetëvendosje, Republika e Serbisë me sa duket e konsideron shfaqjen publike të flamurit shqiptar si prishje të rendit publik.
Kjo lëvizje thekson se ky shtet vijon të jetë armiqësor ndaj shqiptarëve, dhe shtypës i identitetit, lirive e të drejtave të tyre, duke përdorur metoda tashmë të vjetruara. Sipas tyre, kjo nuk është hera e parë që autoritetet e Serbisë keqtrajtojnë simbolikën kolektive të shqiptarëve vendas, dhe një rast tjetër shqetësues ka qenë heqja me dhunë e lapidarit të UÇPMB-së, me të njëjtin arsyetim.
“Situata e shqiptarëve në Serbi është në kontrast të dukshëm me situatën e serbëve në Kosovë, të cilët falë politikave ndërhyrëse të Serbisë, falë paaftësisë së pushtetarëve kosovarë dhe falë diskriminimit në Bruksel, janë shndërruar tashmë në një super-minoritet. Serbët në Kosovë jo vetëm që gëzojnë të drejtat që nuk i kanë shqiptarët në Serbi, përdorin simbolet e tyre, shkollohen në gjuhën e tyre, etj. por gëzojnë edhe liri e të drejta që asnjë minoritet nuk i gëzon, dhe asnjë konventë nuk i parashikon. Ata janë më pak se 5% e popullatës, dhe gradualisht po forcojnë kontrollin e tyre në afër 20% të territorit, përmes një procesi që nisi me decentralizimin dhe po përfundon me asociacionin”, thuhet në komunikatë.
Sipas Vetëvendosjes, ky kontrast, kjo asimetri është e padurueshme. “Super-minoritetet dhe nën-minoritetet janë koncepte që sfidojnë barazinë dhe reciprocitetin. Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje forcave politike e institucionale shqiptare, shoqërisë civile e medias, në Shqipëri e Kosovë që t’i kushtojnë më shumë vëmendje çështjes së të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pasi ne, si komb, nuk mund të lejojmë që një pjesë e jona të trajtohet në mënyrë të padenjë, apo të pabarabartë. Po ashtu, i tërheqim vëmendjen aktorëve ndërkombëtarë që të angazhohen në këtë rast për të mbrojtur ato vlera që vazhdimisht propagandohen si universale”, thuhet në komunikatë.
google_ad_client = “ca-pub-3995474441061688”;
google_ad_slot = “5970863453”;
google_ad_width = 336;
google_ad_height = 280;