LajmeMagazina

Varroset Agroni, mbi një mijë qytetarë në lamtumirën e fundit

Qytetarë të shumtë të mërkurën i kanë dhënë përshëndetjen e fundit, Agron Ismailit, 23 vjeçarit nga Letovica, i cili ditë më parë ndërroi jetë në Zvicër.
I riu i cili vdiq papritur, u varros në varrezat e fshatit Letovicë të komunës së Bujanocit, derisa trupi i tij për në banesën e fundit vlerësohet të jetë përcjellë nga mbi një mijë qytetarë të kësaj komune, të Preshevës si dhe nga rajoni.
Përfundimi i namazit të iqindisë dhe më pas falja e xhenazes, shënoi edhe nisjen e kortezhit me njerëz disa qindra metra të gjatë drejt varrezave.
Në mesin e tyre, veç familjarëve, hoxhallarëve, miqve e shoqërisë u vërejt edhe një numër i madh i të rinjve që kishin ardh për t’u përshëndetur me djaloshin nga Letovica, raporton Titulli.com.
Në varrin  e Agronit u vendosën kurora me lule ndërsa nga hoxhallarët u kryen edhe ritet e fundit fetare pranë varrit.
Agron (Naip) Ismaili ndërroi jetë në moshën 23 vjeçare, më 24 prill të këtij viti. 
Vdekja e të riut ishte e papritur pasi i ndjeri nuk kishte ndonjë problem shëndetësor për të cilin kishte ankuar më herët.
Ndërrimi i jetës e kishte gjet në shtrat deri sa po bënte gjumë, në kohën që po qëndronte për pushime tek familjarët në Zvicër. Në momentin kur anëtarët e familjes kanë shkuar ta zgjojnë nga gjumi, Agroni ishte pa shenja jete.
Ky rast ka prekur rëndë familjen, miqtë, dashamirët si dhe qytetarët e Luginës të cilët e njohën për së afërmi djaloshin letovicas me tiparet e tij shembullore. /Titulli.com/ 

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button