LajmeMagazina

Dyshime në vdekjen e fëmijës nga Bujanoci në spitalin e Vranjës

Fëmija njëvjeçar nga Bujanoci që vuante nga sëmundja hidrocefalus (e njohur si uji në tru), ka ndërruar jetë pasi është lëshuar nga departamenti i fëmijëve në spitalin e Vranjës.
Njëvjeçari të hënën ishte lëshuar për shërim në shtëpi, ndërsa të martën, herët në mëngjes është sjellë nga prindërit i vdekur në spital.
“E kam parë fëmijën, kishte pompë për frymëmarrje. Kam dëgjuar se e kanë lëshuar në shtëpi, që sipas meje nuk ishte normale, pasi fëmija nuk ishte mirë. Të martën në mëngjes më zgjoi zhurma dhe të bërtiturat e prindërve të cilët kërkonin mjekun pasi fëmija nuk merrte frymë. U mblodhën të gjithë mjekët kujdestar, tentuan reanimimin mirëpo nuk kishte shpëtim. Tani në spital po komentohet se pompa nuk ishte e pastruar, dhe kështu fëmija është ngufatur”, ka shpjeguar për OK Radio, një grua me inicialet V.J. e cila po qëndronte me fëmijën e saj në pediatri.
Administratori i spitalit, Zvonimir Gjorgjeviq, thotë se administrata e qendrës shëndetësore është njoftuar me rastin e vdekjes së fëmijës në departamentin e fëmijëve në takimin e mëngjesit.
Ai ka thënë se detajet nuk janë kumtuar, përveç se njëvjeçari është sjellë pa shenja jete në spital.
“Kur kemi të bëjmë me gabim eventual të mjekut apo çdo gjë tjetër që mund të shkaktojë vdekjen e pacientit, formohet Komisioni i brendshëm për mbikëqyrje profesionale. Në këtë rast bëhet fjalë për fëmijën që është sjellë i vdekur dhe për këtë arsye është urdhëruar vetëm obduksioni, pasi nuk ka vdekur në spital. Pra, tani nuk ka nevojë për formimin e Komisionit të brendshëm për mbikëqyrje profesionale”, ka thënë Gjorgjeviq.
Në qendrën shëndetësore në Vranjë nuk është kumtuar se cili mjek e ka lëshuar fëmijën për shërim shtëpiak, kurse mjeku Dragan Cvetkoviq të martën në mëngjes ka tentuar animimin.
Njëvjeçari nga Bujanoci vuante nga hidrocefalus, sëmundje e njohur si “uji në tru”. Sipas mjekësisë, hidrocefalia është një grumbullim anormal i lëngut trunor-shpinor (Likuorit) brenda kaviteteve, që quhen ventrikuje dhe gjenden brenda trurit.
Hidrocefalusi trajtohet përmes operacionit, që konsiston në vendosjen e një pompe, e cila bart ujin e tepërt nga koka në bark.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button