MagazinaTech / Shkencë
Facebook shton thirrjet me video tek aplikacioni Messenger
Facebook shtoi tek aplikacioni i saj i mesazheve, Messenger, veçorinë e thirrjeve me video, duke u dhënë mundësi përdoruesve që të komunikojnë duke e parë njëri-tjetrin. Veçoria falas, që funksionon nëpërmjet rrjetit Wi-Fi dhe LTE, rivalizon aplikacione të ngjashme me të, si Skype i Microsoft-it, Google Hangouts dhe FaceTime i Apple-it.
Përdoruesit duhet vetëm të shtypin ikonën e kamerës për të nisur një thirrje me video. Sapo të nisë biseda, përdoruesit mund të zgjedhin mes kamerës ballore ose të pasme, ose ta fikin atë. Veçoria e thirrjeve me video do të funksionojë edhe tek rrjetet celulare me frekuencë të ulët.
Kjo veçori do të ndihmojë në rritjen e numrit të përdoruesve: aplikacioni Facebook Messenger ka aktualisht 600 milionë përdorues në muaj. 10% e të gjitha thirrjeve telefonike të bazuara në internet bëhen nëpërmjet Messenger-it. Facebook nuk nxjerr ndonjë fitim nga këto telefonata, megjithatë e ndihmojnë kompaninë që të dominojë në mënyrat e komunikimit midis njerëzve.