LajmeMagazina

Stefanoviq në Bujanoc: Po sulmuat Serbinë, do ta merrni përgjigjen shpejtë

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka porositur të shtunën nga baza e Xhandarmërisë në Ristovc të Bujanocit se pjesëtarët e MPB-së së Republikës së Serbisë po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të ruajnë stabilitetin dhe sigurinë e Serbisë dhe qytetarëve të saj.
“Në zonën tokësore të sigurisë dhe rajonin kufitar në drejtim të Maqedonisë kemi nisur njësi përforcuese të Xhandarmërisë dhe njësisë Kundër-terroriste. Gjithashtu, është rritë prezenca edhe e policisë kufitare dhe të gjithë logjistikës tjetër të nevojshme për forcat policore”, ka thënë ministri gjatë qëndrimit në Komunë të Bujanocit, raporton Titulli.com. 
Stefanoviq ka porositur “ata” që dëshirojnë të organizojnë sulme në territor te Serbisë, se do të marrin përgjigje të shpejtë. 
“Duhet të jemi seriozë dhe përgjegjës në mënyrë që t’i tregojmë të gjithë atyre që eventualisht  mendojnë për sulme terroriste në territorin e Serbisë, se shpejtë dhe në mënyrë efikase do të ndalohen. Situatën në Maqedoni jemi duke e përcjellë nga fillimi, kemi ngritur gatishmërinë luftarake dhe nuk kemi lejuar që situatë e tillë të na befasojë”, është shprehur Ministri i Punëve të Brendshme. 
Nëse do të kemi valë të refugjatëve, Qeveria e Republikës së Serbisë ka theksuar se do ta përcjellë, në mënyrë që të reagohet me kohë rreth akomodimit dhe pranimit të këtyre qytetarëve.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button