Një boksiere, shtatë boksierë dhe dy trajnerë të klubit të boksit Prishtina ishin “ngujuar” në sallën e boksit që gjendet në bodrumin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit për stërvitje gjatë pasdites të së martës, shkruan sot Koha Ditore.
Derisa trajneri Pajazit Halimi shikonte kronometrin dhe jepte shenjë për të gjithë që t’i godisnin thasët e varur për tre minuta, trajneri tjetër Afrim Majanci punonte me secilin.
Kërkesat dhe intensiteti ishte i njëjtë për të gjithë, përfshirë këtu edhe boksieren e vetme të klubit Prishtina, Marigona Beadini.
Beadini 30-vjeçare, i është kthyer boksit pas një pauze trevjeçare, shkruan koha.
Në vitin 2012, Beadini u tërhoq nga boksi për shkak të një lëndimi. Mirëpo, edhe pse sanimi i lëndimit nuk zgjati shumë kohë, Marigona vazhdoi pushimin nga boksi deri para një muaji kur vendosi të kthehet.
Ajo i është kthyer sportit të zemrës me një synim të madh – të sigurojë normën për Lojërat Olimpike “Rio 2016”.
Me të përfunduar stërvitjet, Marigona me vrap shkoi t’i ndërronte veshjen e stërvitjeve me uniformën e policisë, pasi duhej të paraqitej në punë.
Po ashtu para se të flasë për kthimin dhe synimet e saj në boks, ishte siguruar që të marrë leje nga majori, meqë është procedurë e zakonshme për secilin pjesëtar të policisë.