LajmeMagazina

Dhjetë gjërat që (mbase) nuk i dinit për picën

Kur lindi pica moderne dhe kur u shfaq në Amerikë? A është e vërtetë se shumë shpejt astronautët do ta konsumojnë atë në hapësirë? Çfarë kuptohet me efektin pica? A ekziston pica dritë? Dhe mbi të gjitha….çfarë lidhje ka Google me picën? Më poshtë do të njiheni me këto dhe kuriozitete të tjera rreth pjatës më të njohur në botë.

Kur lindi?

Pica moderne, siç të gjithë e njohim tashmë, lindi në Napoli. Në 1889 Raffaele Esposito dhe bashkëshortja e tij, Rosa Brandi, titullar të një picerie në rrugën Sant’Anna të Palazzo, për t’i bërë përshtypje Mbretëreshës Margarita, gruas së Mbretit Umberto I, përgatitën një picë në pamje si të ndarë në tri pjesë të përbëra përkatësisht me domate, borzilok dhe djathë mocarela. Në këtë mënyrë lindi zyrtarisht pica Margarita.

Pica dhe amerikanët
Gabon kushdo që beson se amerikanët e kanë zbuluar picën shumë vite më parë sesa italianët. Përkundrazi. Piceria e parë në Nju Jork u hap në vitin 1905, nga ideja e emigrantit të quajtur, Gennaro Lombardi. Kishin kaluar 15 vjet që nga shpikja e “Margaritës”, megjithëse suksesi qe thuajse i menjëhershëm. Sot, pica më popullore në SHBA është pica “Pepperoni” (me sallam pikant).

Pica dhe Google

Në mesin e viteve ’90, përpara se Google të krijohej, Sergey Brin krijoi një shërbim që lejonte të porositeshin pica nëpërmjet internetit, duke shfrytëzuar fax-in e restoranteve. Siç ai tregon, kjo mënyrë qe një dështim i madh që i mësoi se personat jo gjithmonë i respektojnë vendimet e marra. Por nëse do të kishte funksionuar, mbase sot nuk do të kishim Google.

Pica më e shtrenjtë
A mund të porositet një picë dhe të paguhet me bitcoin (bitcoin është një rrjet inovativ pagese dhe një lloj i ri i parave)? Këtë e ka bërë në vitin 2009 programuesi Laszlo Hanyecz, që ka paguar për dy pica 10 mijë bitcoin. Që sot vlejnë më shumë se 3 milionë euro.

Pica e ngrirë

Deri disa vite më parë, piceria Airport Pizza në qytetin Nome, në Alaskë, i shpërndante picat me avion në fshatrat e afërt, të cilët nuk dispononin asnjë piceri. Për të optimizuar udhëtimet, ishin të nevojshme të paktën 30 porosi (10 dollarë secila).

Pica e parë nëpërmjet ueb-it
Në vitin 1994 një piceri nga rrjeti i “Pizza Hut” në Santa Cruz në Kaliforni hapi një uebsajt nëpërmjet të cilit u bë e mundur porositja e picave online, duke krijuar kështu shembullin e parë të kësaj tregtie të veçantë në botë.

Printer 3D për të bërë pica
Anjan Contractor nga Austin, Texas, mori 125,000 dollarë nga NASA për të zhvilluar prototipin e një printeri 3D i cili mund të printojë një picë, duke përzier disa ushqime në formë pluhuri me ujë. Nëse do të funksionojë, ky lloj printeri i çuditshëm do t’u jepet disa astronautëve, të cilët kanë misione shumë të gjata në hapësirë.

Më të shpejtët

Në qershor të vitit 2014, në Las Vegas u zhvillua gara e picajolëve më të shpejtë: fitoi anglezi Pali Grewal, i cili qe në gjendje të gatuante dhe të piqte 3 pica në 32 sekonda.

Çfarë është efekti pica
Në sociologji flitet edhe për efektin pica: kur një fenomen lokal ka më shumë sukses në periferi sesa në qendër të një vendi, ku kthehet në protagonizëm në një moment të vetëm.

Pica dritë

Në PizzaUp, në simpoziumin mbi picat që u mbajt në vitin 2013 në Padova, u prezantuan receta të ndryshme, të suportuara nga kërkime shkencore, për t’i hequr picës 30% të kalorive, pa i modifikuar shijen. Sekreti duket se qëndron te mielli, jo më me grurë, por me drithëra dhe bishtajore, por të ekuilibruara dhe të shëndetshme për nga pikëpamja ushqyese.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button