LajmeMagazina

Haradinaj: Nuk i frikësohem ekstradimit në Serbi

Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës dhe lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili u arrestua në Lubjanë, në një deklaratë për TV N1 të Beogradit, tha se nuk i frikësohet ekstradimit në Serbi dhe akuzoi autoritetet e Sllovenisë për “sjellje të turpshme”.
“Unë ndodhem në Lubjanë dhe pres vendimin për të ma kthyer pasaportën në mënyrë që të udhëtoj për në Prishtinë. Për mua kjo situatë është e papranueshme se si Sllovenia nuk e ka pastruar këtë gjë. Nëse nuk është gabim i tyre, nëse sistemi nuk është gabim, atëherë është një qëllim i keq i autoriteteve të këtushme. Për Serbinë nuk ma bën fare, unë jam qytetar i Kosovës”, i tha Haradinaj N1.
N1 pohon se është në dijeni se organet e drejtësisë sllovene po verifikojnë fletarrestim serb dhe po presin kërkesën eventuale të Serbisë për ekstradim.
Sipas këtij mediumi Haradinaj sot nuk do të paraqitet para gjykatësit.
Haradinaj u arrestua dje në Aeroportin e Lubjanës në bazë të një urdhërarresti të Interpolit serb nga 8 tetori i vitit 2004.
Pohohet se Gjykata e Qarkut e Kranjit po verifikon nëse në Serbi ende ekziston aktakuzë kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush haradinaj.
Po ashtu po verifikon nëse Haradinaj është gjykuar në Tribunalin e Hagës për krime lufte për veprat që e akuzon Serbia.
Gjykata sllovene ka theksuar se shtetasi i Kosovës, emrin e të cilit nuk e ka publikuar për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale, do të mbetet në territorin e Sllovenisë për aq kohë deri sa të mos sqarohen çështjet e sipërtheksuara.
Gjykata dje njoftoi se shtetasi i Kosovës ka premtuar se nuk do të largohet nga Sllovenia deri sa të mos qartësohen këto çështje.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button