Janë katër komandantë të njohur të UÇK’së që sot – disa me mosveprimet e tyre, e të tjerë me veprimet e tyre – i thanë “jo” Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit që është më meritori për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Gjasat janë që ata, sot, kanë hapur një faqe të re në historinë e vendit; atë të izolimit ndërkombëtar.
Fjala është për Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn dhe Rexhep Selimin.
Dështimi për votimin e ndryshimeve kushtetuese, që do t’i hapnin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale ndodhi pasi shtatë deputetë të PDK’së votuan kundër. Dhe për këtë, përgjegjësia bie mbi Hashim Thaçin, i cili deri sot nuk ka bërë asgjë për t’i bindur deputetët e tij që të votojnë pro.
Publikisht, ai mund të vajtojë pse nuk kaluan ndryshimet kushtetuese, por mbetet përgjegjësi kryesor në krejt këtë mesele.
Pas tij renditet Ramush Haradinaj, i cili jo për çështje parimore, por krejtësisht personale çoi drejt dështimit themelimin e Gjykatës Speciale. Ky ishte thjesht një revansh i tij për bashkësinë ndërkombëtare që nuk e mbështeti në përpjekjen e tij për t’u bërë Kryeministër i vendit verën e kaluar.
Fatmir Limaj, kreu i Nismës për Kosovën, duket se nuk kishte guxim të dallohej nga turma e liderëve opozitarë.
Rexhep Selimi, një prej drejtuesve kryesorë të luftës së armatosur, ndërkaq, ka punuar më me zell për këtë dështim, dhe mund të krenohet me të arriturat.
Pasojat, ndërkaq, tashmë dihen. E para është se vendi nuk do ta marrë MSA’në.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara, përmes Ambasadores së tyre në OKB, kanë thënë se kredibiliteti i liderëve të Kosovës varet nga votimi i Gjykatës Speciale. Votimi i sotshëm, dëshmon mungesën e kredibiliteti por edhe paaftësinë e tyre për ta ruajtur partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare.