Familjarë, të afërm, miq dhe qytetarë nga Lugina dhe më gjerë i kanë dhënë lamtumirën e fundit ish-deputetit, mësuesit, veprimtari të çështjes kombëtare, Ramadan Ahmetit-Daci, i cili u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë në moshën 80-vjeçare.
Ramë Daci, siç njihej në popull, ishte mësues, drejtues i institucionit arsimor, politikan, deputet popullor, e para së gjithash veprimtar në mbrojtje e çështjes shqiptare, me theks të veçantë në Luginë të Preshevës.
Ai ndërroi jetë mëngjesin e së mërkurën, ditën në të cilën edhe u përcjollë për në banesën e fundit, në varrezat e fshatit Tërnoc të Komunës së Bujanocit, raporton Titulli.com.
Në nder të veprës së tij, në Bujanoc u mbajt edhe një akademi komemorative, ku për të nderuar Ramë Dacin e ndjerë, me një fjalim prezantoi edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademiku Hivzi Islami.
Daci mbetet një ndër fytyrat e pakta publike të Luginës që me veprimet, zotësinë dhe butësinë e tyre, arritën që të kalojnë situata të vështira, ndër dekada, me të cilën u përballë së bashku me shqiptarët e kësaj ane.